
Xhud Belingam është pezulluar me dy ndeshje pas kartonit të kuq direkt që mori në ndeshjen Osasuna-Real Madrid. Ky është vendimi i Komitetit të Disiplinës së Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit (RFEF) pas mbledhjes së mbajtur këtë të mërkurë në një klimë tensioni maksimal mes Realit të Madridit dhe arbitrave.
Disiplina e ka konsideruar frazën që anglezi i drejtoi Munuera Monteros, “fuck you”, sipas raportit të arbitrit, si një fyerje, çka do ta bëjë lojtarin të mungojë në dy ndeshjet e La Liga-s kundër Xhironës (të dielën, ora 16:15) dhe Real Betisit (të dielën, 2 mars, ora 16:15).
Duke qenë se bëhet fjalë për një pezullim të lehtë, të cilin Reali do ta apelojë në Komitetin e Apelimit, nuk do të ndikojë në pjesëmarrjen e tij në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit kundër Real Sociedad (të mërkurën, 26 shkurt, ora 21:30).
Federata nuk ka marrë parasysh provat video të paraqitura nga Reali i Madridit, as raportet e ekspertëve të dorëzuara nga klubi i bardhë, të firmosura nga Xheremi Friman, ekspert i njohur në fushën e leximit të buzëve në hetime forensike, dhe D. David Hernanz de Lukas, ekspert gjuhësor i anglishtes. Argumentet e Realit të Madridit kishin të bënin me mundësinë e një gabimi në raportimin e arbitrit Munuera Montero, i cili relatonte se ishte fyer nga anglezi me fjalët “Fuck you”.
Megjithatë, si Belingham, ashtu edhe trajneri Ançeloti pohuan se lojtari i kishte thënë arbitrit “fuck off” dhe jo “fuck you”, version i mbështetur nga pamjet e transkriptimi i “Movistar+”, që ka të drejtat televizive të La Liga-s. Megjithatë, sipas rregullores së RFEF, raporti i arbitrit është vendimtar, përveç rasteve të një “gabimi material të qartë”. Neni 27 i Kodit Disiplinor thotë: “Në vlerësimin e shkeljeve që lidhen me disiplinën sportive, vendimet e arbitrit për faktet e lidhura me lojën janë përfundimtare dhe supozohen të sakta, përveç rasteve kur ka një gabim material të qartë”.
Reali i Madridit argumentoi gjithashtu precedentët, duke iu referuar deklaratave të Kristiano Ronaldos në vitin 2018, kur ai tha se shprehja “fuck off” përdoret shpesh nga lojtarët anglezë në fushë dhe nuk konsiderohet fyerje apo mosrespektim ndaj arbitrave.
Vendimi i Disiplinës e bën të qartë se pretendimet e Realit të Madridit nuk përbëjnë provë të mjaftueshme për të vërtetuar një gabim material të qartë në këtë rast. “As pamjet e paraqitura, as raportet e ekspertëve që i shoqërojnë ato nuk na lejojnë të arrijmë në përfundimin e qartë se lojtari nuk ka shqiptuar frazën që i atribuohet në raport, por një tjetër.
Në veçanti, prova videografike nuk lejon të identifikohet qartë momenti i saktë kur lojtari shqipton këtë frazë në mënyrë të plotë, duke qenë e pamundur që Komiteti të përcaktojë me siguri parafjalën që shoqëron foljen ‘fuck’. Përballë kësaj situate, provat e ekspertëve dhe interpretimi i paraqitur nga klubi për të mbështetur versionin e tyre janë sigurisht të respektueshme, por të pamjaftueshme për të rrëzuar vlefshmërinë e raportit të arbitrit”.
Lini një Përgjigje