
Sharl De Ketelare ka lënë gjurmën e tij që në ndeshjen e parë me fanelën e Atalantës në Serinë A. Fantazisti belg, që u transferua pas një viti në hije te Milani, ishte protagonisti i fitores 2-0 të skuadrës bergamaske në fushën e Sasuolos.
Në ndeshjen ku në fushë nga minuta e parë ishte në lojë Bajrami për vendasit dhe Gjimshiti për miqtë, diferencën e bëri pikërisht futja në fushë e blerjeve të reja tek Atalanta. De Ketelare dhe Skamaka i dhanë një shtysë më shumë ekipit në minutat e fundit me belgun, i cili goditi traversën para se të shënonte edhe golin e avantazhit i ndihmuar nga teknologjia e linjës së portës. Zortea me një gjuajtje spektakolare vulosi më pas fitoren 2-0 për ekipin e tij.
Ndërkohë, Roma është ndalur në barazimin 2-2 në shtëpi nga Salernitana. Verdhekuqtë zhbllokuan ndeshjen në minutën e 8 me një gol të bukur, por u anulua nga VAR për një pozicion jashtë loje milimetrik të sulmuesit të Romës.
Në minutën e 17, Beloti goditi përsëri dhe këtë herë goli ishte i rregullt. Pas një kontrolli të bukur në zonë, “Gallo” mposhti Oçoan me lehtësi.
Më pas filloi “Candreva show”. 36-vjeçari barazoi ndeshjen në minutën e 36, pas një aksioni të bukur personal dhe e përmbysi atë në fillimin e pjesës së dytë me një gol spektakolar.
Tetë minuta para fundit erdhi edhe goli që fiksoi shifrat në 2-2. Beloti kërceu ë lart se të gjithë në një goditje nga këndi dhe realizoi.
Lini një Përgjigje