
Mediat e huaja, kryesisht ato spanjolle, vijojnë t’i bëjnë jehonë sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni. Bomberi i Granadës është golashënuesi më i mirë në Kategorinë e Dytë spanjolle dhe ka shifrat e më të mëdhenjve në Europë. Së fundmi, “Estadio Deportivo” ka nxjerrë disa të dhëna që e bëjnë Uzunin të jetë mbi yjet e futbollit botëror.
Në fakt, futbollistin shqiptar e kalon vetëm Erling Haland i Mançester Sitit dhe Xhonatan Dejvid i Lilës me dopietat dhe tripletat. Këtë sezon, bomberi kuqezi ka arritur të shënojë katër dopieta dhe një tripletë. Ai është vetëm një dopietë prapa Dejvidit dhe Halandit, por ky i fundit ka shënuar 4 tripleta.
Në këtë mënyrë, Uzuni është lojtari i tretë me më shumë dopieta dhe tripleta në pesë ligat kryesore europiane, duke kaluar yje si Mbape, Benzema, Levandovski, Osimhen, Mesi dhe Nejmar, edhe pse koeficienti i vështirësisë në ligën e Uzunit është më i ulët sesa në ligat e para, ku është më e vështirë që të shënosh.
Lini një Përgjigje