
Vlera totale e transaksionit arrin 82.7 miliardë dollarë kur përfshihen detyrimet...
Netflix njoftoi marrëveshjen më të madhe që ka parë Hollywood në dekadat e fundit, pasi ra dakord të blejë studiot televizive, filmike dhe divizionin e transmetimit të Warner Bros Discovery për 72 miliardë dollarë. Marrëveshja i kalon Netflix-it kontrollin e markave më të rëndësishme të industrisë, përfshirë Game of Thrones, DC Comics dhe Harry Potter. Ky zhvillim e forcon ndjeshëm pozicionin e Netflix në tregun global të argëtimit dhe krijon një strukturë të re fuqie që rrezikon ekuilibrat e vjetër të studiosve.
Vlera totale e transaksionit arrin 82.7 miliardë dollarë kur përfshihen detyrimet. Netflix ka ofruar gjithashtu një tarifë zgjidhjeje prej 5.8 miliardë dollarësh, ndërsa Warner Bros Discovery do të paguante 2.8 miliardë dollarë nëse marrëveshja dështonte. Netflix synon të kursejë 2 deri në 3 miliardë dollarë çdo vit brenda tre viteve nga mbyllja e transaksionit.
Ekspertë të industrisë kinematigrafike paralajmërojnë se rishikimi antitrust në SHBA dhe Europë do të jetë i vështirë. Drejtues të kinemave në Europë paralajmërojnë se shkrirja e një studioje të madhe me një platformë që historikisht ka refuzuar dritaret ekskluzive të kinemave mund të shkaktojë mbyllje të sallave dhe humbje të konsiderueshme vendesh pune. CEO e UNIC, Laura Houlgatte, deklaron se Netflix ka treguar me veprime se nuk mbështet modelin e kinemave dhe se mbyllja e një studioje të tillë do të reduktojë ofertën filmike.
Ish CEO i WarnerMedia, Jason Kilar, paralajmëron se shitja e WBD te Netflix ul konkurrencën dhe krijon një konglomerat përtej çdo precedent. Analistë të tregut si David O’Hara dhe Paolo Pescatore shohin rrezik serioz në fushën e rregullimit. HBO shihet si pika më e ndjeshme e transaksionit, sepse çdo mbivendosje me katalogun e Netflix mund të detyrojë shitje të aseteve për të kaluar filtrin e rregullatorëve.
Ekonomistët paralajmërojnë ndikim të drejtpërdrejtë te konsumatorët. Çmimet e abonimeve të Netflix mund të rriten, ndërsa HBO Max pritet të humbasë rëndësinë ose të mbyllet. Konsolidimi i bibliotekës së Warner Bros dhe HBO te Netflix është goditja më e fortë që kanë marrë Disney, Amazon dhe Paramount vitet e fundit.
Ka edhe sinjale se kompani të tjera mund të kundërshtojnë procesin. Paramount Skydance dhe Comcast u përpoqën të blinin WBD, dhe analistët thonë se ato mund të sfidojnë legalitetin e garës. Kjo do të shtonte tensionin rreth marrëveshjes dhe do të zgjasë procesin e miratimit.
Netflix kërkon një lëvizje që i rrit peshën në tregun global, por analistë financiarë si Chris Beauchamp theksojnë se përfitimet nuk janë të menjëhershme. Të dhënat tregojnë mbivendosje të madhe midis abonentëve të Netflix dhe HBO Max, gjë që e ul efektin e parë të rritjes. Për më tepër, ndërhyrja nga Shtëpia e Bardhë mbetet një rrezik real për marrëveshjen.
Nëse miratohet, kjo do të jetë lëvizja më e fuqishme strategjike e Netflix që nga themelimi i platformës dhe do të ndryshojë drejtimin e industrisë. Nëse refuzohet, do të hapë një betejë të re mes studiosve të mëdhenj dhe platformave të transmetimit për kontrollin e narrativës globale të argëtimit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje