
Dy artistët e njohur, Nita Latifi dhe Algert Sala, sollën në skenën e Festivalit të Këngës në Kosovë, edicioni i tretë në RTK, këngën e tyre të re me titull “Pija”.
Kënga është kompozuar dhe shkruar nga Algert Sala, ndërsa orkestrimi mban firmën e Kejdi Mustës. Performanca energjike dhe ritmike e dyshes u prit me shumë entuziazëm nga publiku në sallë, por edhe nga shikuesit në ekran.
Në skenë, Nita dhe Algerti sollën një interpretim plot energji, të shoqëruar nga orkestra dhe banda muzikore të festivalit.
Algert Sala, këngëtar nga Vlora, i njohur për krijimet e tij me nota melankolike dhe pjesëmarrjet në festivale, u rendit vitin e kaluar në Top 10 të Festivalit të 63-të të Këngës në RTSH. Pikërisht aty, gjatë atij festivali, ai u miqësua me Nita Latifin – miqësi që u shndërrua në dëshirë për bashkëpunim artistik.
Nga ana tjetër, Nita Latifi është një këngëtare me eksperiencë disa vjeçare në realitet-show, festivale dhe projekte muzikore, e cila sipas burimeve, aktualisht po punon për albumin e saj të ri.
Kënga “Pija” është kthyer shpejt në një nga më të pëlqyerat dhe më të klikuarat në rrjetet sociale, duke e bërë këtë bashkëpunim një sukses të menjëhershëm.
Në garë për çmimet e festivalit janë edhe emra të njohur si Xuxi, Semi Tafaj, Klea Dina, Florent Abrashi, Arjeta Palushaj, Bledi Kaso, Arsi Bako e të tjerë...
Lini një Përgjigje