Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Partisë se qëllimi i sulmit të armatosur nga një grup i terroristëve serbë, më 24 shtator, ishte nisja e një lufte të re në Kosovë.
“Nga sulmi i tyre qyqar u vra polici ynë, rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos polici kufitar Alban Rashiti. Me dhimbjen për Afrim dhe lehtësimin që Albani po mjekohej shpejtë menjëherë reaguam shpejtë duke e vënë perimetrin e sigurisë rreth fshatit Banjskë ku ishin strehuar terroristët. Kërkuam që ata të dorëzohen, por ata kishin ardhur me një skenar të tyrin që me sukses iu përgjigj PK-ja duke i eliminuar tre terroristë, arrestuar disa të tjerë dhe duke vazhduar përndjekjen e atyre që ikën”, ka thënë ai.
Më pas, kryeministri deklaroi se vlera e armatimit të konfiskuar është mbi 5 milionë euro dhe se kishte armatim për qindra luftëtarë.
“Kemi gjetur armatim në vlerë mbi 5 milionë euro dhe sasi të armatimit për qindra luftarë që dëshmon për planin e fillimit të një lufte të armatosur brenda e kundër Republikës së Kosovës. Armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake, municioni dhe pajisjet e tjera, direktivat politike dhe strategjike dhe mbështetja zyrtare e publike, të gjitha vinin nga Serbia”, tha ai.
Për Kurtin nga e diela e kaluar asgjë më nuk është njësojë.
“Kësisoj nga e diela që e lamë pas asgjë më nuk është e njëjtë. Faktet janë sheshtazi dhe ajo që e kemi thënë ngaherë që Serbia po e sponsorizon terrorizimin në veri, u qartësua e u vërtetua”, tha Kurti.
Çfarë ndodhi në veri të Kosovës?
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe 3 u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në veri të vendit. Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur kishte zënë herët në mëngjes në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën edhe 2 policë të tjerë. Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra, gjatë gjithë ditës së dielë u shkëmbyen të shtëna me policinë. Në mbrëmje ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se 4 sulmues u vranë. Tre trupat e serbëve u gjetën në të njëjtën ditë, ndërsa i katërti një ditë më vonë. Ndërkohë gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan. Gjithashtu ishin sekuestruar sasi të madhe armatimi.
Lini një Përgjigje