
Sipërmarrësi Bujar Zhuri ka treguar se e njeh Naim Murselin prej 12 vjetësh. Ata kanë pasur marrëdhënie dhe kontakte pune, janë takuar dhe kanë drekuar e darkuar shpesh me njeri-tjetrin.
Hera e fundit që Naimi e ka kontaktuar ka qenë rreth 3 muaj më parë dhe mesa duket ka qenë në gjendje të rëndë ekonomike dhe psikologjike.
Ai tregoi se Naimi i ishte afruar shumë vite më parë për një marrëdhënie biznesi dhe i kishte dhënë përshtypjen e një djali të brishtë por edhe të aftë në punën e tij.
“Tre muaj më parë më ka shkruar sërish për të blerë një domain, por nuk tregova interes. Pashë tek ai një person që donte të krijonte një marrëdhënie me interes financiar. Nga natyra e tij, atë që unë di që ka qenë një kontribues për marketingun social të Pacollit, por nuk mendoj se ka pasur influencë te ai. Atë që kam kuptuar unë që në fillim, ai e ka përdorur Pacollin për të krijuar lidhjet e tij për qëllime personale. Në një fazë të dytë ai ka shkuar në një kolaps ekonomik. Domeini që donte më shiste ishte në fillim për 100 mijë euro, më pas u ul në 50 mijë euro”, tha ai.
Zhuri tregoi se ishte shokuar kur kishte dëgjuar për ngjarjen e rëndë, ndërsa theksoi si ishte habitur nga qetësia Naimit në varrimin e së shoqes dhe fakti se si menjëherë pas ngjarjes kishte shkuar të darkonte në hotel luksoz të Pacollit.
“Mendoj se duhet parë me kujdes ana e tij psikike, ajo që më ka shqetësuar shumë dhe që më ka bindur që nuk është mirë nga ana mendore është qetësia pas vrasjes, që është bërë pjesë e varrimit, që ka qenë shumë i ftohtë. Ne si ballkanas nuk jemi kaq të ftohtë në rast të vdekjes së një të riu dhe aq më tepër të bashkëshortes”, tha ai.
Sipas biznesmenit, Naimi ishte i fiksuar që të fitonte para shpejtë, madje thuhet se ai ka humbur 300 mijë euro në bursa për llogari të dikujt tjetër.
“Naimi është marrë më shumë me futjen e kapitaleve në skema, në të cilat ai mund të ketë humbur shumë para. Me të dëgjuar e kam që ai ka humbur edhe 300 mijë euro për llogari të dikujt tjetër.
Naimi ishte shumë i fiksuar për të fituar para shpejtë. Një nga shkaqet që unë mendoj është se gjendja e tij financiare ka qenë e tronditur 1 dhe netëork-u i tij ka rënë. Zoti Pacolli duhet të ketë vite që është distancuar nga Naimi, për ta përfshirë atë në ndonjë projekt.
Ai nuk ka qenë kurrë, pavarësisht se me një individ mund të kesh marrëdhënie miqësore pa pasur interese biznesi në mes. Unë mendoj se Pacolli ka pasur më shumë marrëdhënie miqësore."-tha ai.
I pyetur nëse paratë e humbura në bursa, mund të kenë qenë edhe të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit biznesmeni Zhuri u përgjigj: “Ndoshta, por nuk mund të jap dot me saktësi. Është e rëndomtë që në biznes njerëzit investojnë, marrin japin. Unë mendoj se Naimi mund të ketë pasur shumë më shumë probleme.
Lini një Përgjigje