
Sot në 25 vjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s po shënojmë një kapitull të ri me lajmin që Komisioni i Përhershëm drejtues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s ka marrë vendimin që Kosova nga vëzhgues parlamentar të pranohet si shtet anëtar i asociuar.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e ka avancuar statusin e Kuvendit të Kosovës në këtë organizatë, nga vëzhgues në të asociuar.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Driton Hyseni, njëherësh kryesues i delegacionit të Kuvendit të Kosovës në këtë Asamble, ka thënë se ky është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësim të plotë të Kosovës në NATO.
Më tej ai shtoi se vendimi do të zyrtarizohet përmes një votimi në Asamblenë parlamentare të NATO-s në sesionin pranveror, më 27 maj, në Sofje.
“Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit të Kosovës në Asamblenë e NATO-s, ne do të kemi zgjerim të delegacionit, përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe do të kemi të drejtë në adresimin e amendamenteve dhe komenteve për secilin proces e dokument i cili trajtohet nga Asambleja, të cilat më herët është dashur të bëhen përmes delegacioneve të vendeve tjera, kryesisht Shqipërisë”, shkruan Hyseni në një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.
Ministri Maqedonci nga ana tjetër e ka konsideruar vendimin si hap të madh drejt sigurisë dhe prosperitetit të Kosovës dhe rajonit.
“Sot në 25 vjetorin e fillimit të sulmeve të NATO-s po shënojmë një kapitull të ri me lajmin që Komisioni i Përhershëm drejtues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s ka marrë vendimin që Kosova nga vëzhgues parlamentar të pranohet si shtet anëtar i asociuar.
24 marsi i vitit 1999 shënoi një momentum të ri për Kosovën dhe përpjekjen e saj për liri dhe shtet të pavarur, gjersa sot me këtë vendim të NATO-s jemi edhe një hap më afër drejt përmbushjes së qëllimit tonë si shtet i pacenueshëm e për Ballkan stabil.
Intervenimi i NATO-s i 24 marsit të vitit 1999 nuk kishte si të mos ndodhte pasi ishte e vetmja formë që do të mund t’i jepte fund spastrimit etnik të Kosovës, të ndërpriste vrasjet e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimet sistematike, përndjekjet, djegiet e dëbimet me dhunë dhe me focë, prandaj 24 marsi është rreshtim jo vetëm me popullin e Kosovën por rreshtim edhe me anën e duhur të historisë së njerëzimit si veprim në mbështetje të vlerave të civilizimit perëndimor, paqes, lirisë dhe demokracisë”, tha Maqedonci.
Lini një Përgjigje