TAGS-AT E JAVËS

Kosova27 Maj 2026, 18:51

Kongresmenët amerikanë vlerësojnë rolin e shqiptarëve në rajon, takim edhe me studentët e Shkupit

Shkruar nga Pamfleti
Kongresmenët amerikanë vlerësojnë rolin e shqiptarëve
Takimi me Albulena Haxhiun

Keith Self dhe Suhas Subramanyam zhvilluan takime në Kosovë, Preshevë dhe pritet të takojnë edhe liderët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut

Dy kongresmenë amerikanë, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam, po zhvillojnë një vizitë në Kosovë dhe rajon, ku kanë vlerësuar rolin e shqiptarëve dhe kanë shprehur mbështetje për të drejtat e tyre dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, kongresmenët u pritën nga drejtuesit më të lartë të institucioneve, ndërsa zhvilluan takime me ushtruesen e detyrës së presidentit Albulena Haxhiu, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Glauk Konjufca.

Vizita e tyre vjen pak javë pasi Keith Self, së bashku me kongresmenët Ritchie Torres dhe Mike Lawler, propozuan në SHBA një rezolutë dypartiake që mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Dy kongresmenët vizituan fillimisht edhe Luginën e Preshevës, ku u takuan me përfaqësues politikë shqiptarë dhe diskutuan për të drejtat e shqiptarëve në jug të Serbisë.

“Po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, deklaroi Keith Self gjatë qëndrimit në Preshevë.

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, kongresmenët amerikanë pritet të zhvillojnë takime edhe me përfaqësues të Lëvizjes Studentore shqiptare dhe liderë të opozitës shqiptare, mes tyre Ali Ahmeti, Arben Taravari dhe Zijadin Sela.

Në fokus të diskutimeve pritet të jenë të drejtat e shqiptarëve, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe shqetësimet për përdorimin e gjuhës shqipe.

Keith Self dhe Suhas Subramanyam konsiderohen ndër zërat më mbështetës të çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan, ndërsa prej kohësh kanë lobuar për forcimin e rolit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon.

kongresmene shba kosove

Lini një Përgjigje