TAGS-AT E JAVËS

Kosova29 Maj 2026, 12:50

Hapet fushata për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë; Kurti, Hamza e Abdixhiku në “sulm” që ditën e parë

Shkruar nga Pamfleti
Hapet fushata për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë;  Kurti,
Nis fushata në Kosovë

Partitë politike në Kosovë kanë nisur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor.

Lëvizja Vetëvendosje zhvilloi tubimin hapës në Ferizaj, ku kandidati për kryeministër dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, i cili synon një mandat të ri qeverisës, prezantoi angazhimet e tij për qytetarët. Në fjalën e tij, ai iu referua edhe kritikave të opozitës.

“Krejt çfarë bëjmë ne është përmbushje e zotimeve tona. Pra, të gjitha britmat e piskamat që i dëgjoni nga akuzat e sulmet kundër neve, janë veçse realizim i zotimeve tona“, tha Albin Kurti-kandidat për kryeministër të Kosovës.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës e hapi fushatën në Ferizaj. Kandidati i saj për kryeministër, Bedri Hamza, deklaroi se vendi është lodhur nga krizat politike, për të cilat fajësoi qeverisjen aktuale.

“Derisa ai lufton me të gjithë, Kosova stagnon. Miqtë e mi, Kosova nuk ka më kohë për drama politike. Kosova ka nevojë për punë, Kosova ka nevojë për stabilitet“, tha Bedri Hamza-kandidat për kryeministër të Kosovës.

Në Prishtinë, Lidhja Demokratike e Kosovës çeli zyrtarisht fushatën e saj, duke u prezantuar si e vetmja forcë politike me kandidat si për president ashtu edhe për kryeministër. Vjosa Osmani u bëri thirrje qytetarëve për një ndryshim të kursit politik, ndërsa Lumir Abdixhiku prezantoi programin e tij qeverisës.

“Ka liderë që jetojnë nga kriza, sepse pa krizë e humbin rëndësinë dhe ka liderë të cilët e bëjnë të kundërtën, e ndërtojnë besimin në shtet“, tha Vjosa Osmani-kandidate për presidente.

“E vërteta që na dhemb është se Kosova e sotme është vend i kontrasteve të mëdha. Një republikë e bekuar me njerëz të jashtëzakonshëm, por e lodhur nga politike e vogël e një mendjeje të vogël që dëshiron të kapë çdo gjë në këtë vend”, u shpreh Lumir Abdixhiku-kandidat për kryeministër.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garon në këto zgjedhje me Ardian Gjinin si kandidat për kryeministër. Kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, e cilësoi atë si personin e duhur për të drejtuar vendin, ndërsa Gjini kritikoi qeverinë aktuale gjatë fjalimit të tij.

“Nuk dinë se çka dojnë me bo, se nuk janë tu dashtë me i fitu zgjedhjet për me bo diçka, por veç me i fitu zgjedhjet”, tha Ardian Gjini-kandidat për kryeministër.

Kosova do t’u drejtohet kutive të votimit më 7 qershor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u shpallën pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri të vendit.

Lini një Përgjigje