
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer ka deklaruar se administrata aktuale e SHBA-së ka të ngjarë që t’ia lërë Brukselit drejtimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse në çështjet e tjera SHBA-ja dhe BE-ja janë në trajektore të ndryshme.
Sipas tij, përveç mbështetjes së fortë që Administrata Trump i ka dhënë sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës, nuk ka indikacione se cila do të jetë politika e tij në raport me Kosovën
“Tani për tani, rajoni është në autopilot. Përveç mbështetjes së fortë që administrata i ka dhënë sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës, nuk kam parë indikacione se cila do të jetë politika. Kjo është vazhdimësi e qëndrimit ekzistues amerikan, por e ritheksuar me zë të lartë dhe në mënyrë të dobishme. Nuk kam parë ende diçka të ngjashme për Kosovën”, ka thënë Serwer.
Përfshirja eventuale e SHBA-së është përmendur në kontekstin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke iu referuar mandatit të parë kur Donald Trump kishte shtyrë palët drejt një marrëveshjeje ekonomike.
Me gjithë trajektoren që morën raportet SHBA-BE pas kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, sipas Serwerit, Uashingtoni duket se do t’ia lë Brukselit çështjen e dialogut.
“Unë mendoj se kjo administratë do të dëshirojë që Brukseli të marrë drejtimin e dialogut. Në përgjithësi, SHBA-ja dhe BE-ja janë në trajektore të ndryshme sot, por ende nuk kam parë ndonjë tregues për këtë në çështjen e dialogut”, ka shtuar ai
Së fundi, “Al Jazeeera” raportoi se SHBA-ja do ta emërojë Colleen Hyland zëvendësndihmës sekretare për Ballkanin Perëndimor, në vend të Alexander Kasanofit. Hylandi është diplomate me përvojë që ka punuar në disa misione diplomatike të SHBA-së, përfshirë edhe në Kosovë, ku ishte zëvendës ambasadore në periudhën 2016-2019.
Serwer thotë se emërimi eventual i Colleen Hyland nuk tregon as vazhdimësi e as ndryshim të qasjes së administratës aktuale në raport me Ballkanin. Sipas tij, Hyland do të bëjë atë që dëshiron administrata e Trumpit.
“Ajo më duket jashtëzakonisht e kualifikuar. Ajo është një profesioniste. Por ajo do të bëjë atë që dëshiron administrata, e cila ende nuk është e qartë”, ka shtuar Serwer.
Gjatë presidencës së tij të parë 2017-2021, Donald Trump e trajtoi çështjen e Kosovës kryesisht përmes një qasjeje të orientuar drejt marrëveshjeve ekonomike, edhe pse atë kohë diskutimet bëheshin edhe për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë presidencës së parë ishte caktuar edhe një emisar i posaçëm për dialogun, Kosovë-Serbi. Nën ndërmjetësimin e Richard Grenellit më 4 shkurt 2020, Kosova dhe Serbia patën nënshkruar marrëveshjen e ashtuquajtur për normalizim ekonomik.
Marrëveshja e Uashingtonit u promovua si një sukses i diplomacisë së tij, ndonëse theksi ishte kryesisht në bashkëpunimin ekonomik dhe më pak në çështjet politike.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, vazhdon të proklamohet si udhërrëfyes për shmangien e konfliktit dhe normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 krijoi kornizën për normalizimin, por mungesa e implementimit ka ngritur pikëpyetje mbi seriozitetin e këtij procesi.
Zyrtarë perëndimorë në vazhdimësi kanë ngritur shqetësimin se nëse Serbia dhe Kosova nuk arrijnë një kompromis, situata mund të mbetet e ngrirë, me rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve në veri të vendit.
Kosova prej vitesh kërkon një mbështetje më të fortë ndërkombëtare për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe në NATO. Zyrtarë të SHBA-së në disa raste e kanë bërë të qartë se për ta ndihmuar Kosovën në këtë proces, duhet normalizim i marrëdhënieve me Serbinë dhe ujdi, e cila i kontribuon stabilitetit në rajon.
Lini një Përgjigje