TAGS-AT E JAVËS

Kosova13 Qershor 2023, 09:28

Bojkotuan pritjen shtetërore të Ditës së Çlirimit, ambasadorët e QUINT-it i shkojnë sot në zyrë Albin Kurtit

Shkruar nga Pamfleti

Bojkotuan pritjen shtetërore të Ditës së Çlirimit,

Përfaqësues të shteteve të QUINT-it (SHBA, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar) i kanë shkuar në takim mëngjesin e së martës kryeministrit Albin Kurti.

Takimi po mbahet në godinën e Qeverisë, derisa ende nuk dihet nëse do të prononcohen për media pas takimit.

Me përfaqësues ndërkombëtarë, kryeministri Kurti zhvillon takime të përjavshme, e nuk dihet nëse edhe ky është i tillë. 

Të dielën, emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke folur për raportet me Kurtin, tha se ai është partner, por është i vështirë.

Ai ka shtuar se Kosova dhe Serbia janë partnere të SHBA-së.

“Z. Kurti është partner i yni. Nganjëherë është një partner i vështirë, por është partner. Kosova është partnere jona. Serbia është partnere jona. Pra, në të ardhmen dëshirojmë të përfitojmë nga marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe nga përmirësimi i marrëdhënieve që kemi me Serbinë”, ka thënë Escobar.

Ndërkohë ditën e djeshme, ambasadorët e vendeve të QUINT-it  e kanë bojkotuar pjesëmarrjen në pritjen shtetërore të Ditës së Çlirimit.

Në ceremoninë e organizuar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani nuk janë parë, as krerët e opozitës.

Sipas të njëjtave burime, pjesëmarrës në këtë ceremoni janë parë vetëm ambasadorët e Zvicrës dhe Arabisë Saudite. Zyra e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti nuk kanë bërë deklarata në lidhje me këtë çështje.

As ambasadorët e QUINT-it nuk kanë bërë ndonjë sqarim për mungesën.

Lini një Përgjigje