
Për më pak se një muaj, përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçakut do t’i skadojë mandati i cili është vazhduar disa herë. Ndërkohë gjatë këtij muaj pritet që të caktohet pasardhësi i tij në atë post. Dje ka skaduar afati për paraqitjen e kandidatëve nga të cilët përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri Kaja Kallas do të zgjedhë së kënd do ta emërojë në atë post.
Emërimin e përfaqësuesve të posaçëm e bën përfaqësuesja e lartë, por këtë duhet ta konfirmojnë edhe vendet anëtare në Këshillin e BE-së. Kjo bën që presioni kohor të jetë i madh pasi për të kryer gjithë këtë procedurë duhet një kohë.
Deri më tash nuk kanë rrjedhur nga burimet e BE-së informata lidhur me kandidatët e mundshëm, sepse procedura kryhet me diskrecion, por disa burime diplomatike kanë lënë të kuptohet se për këtë post kërkohet diplomat me përvojë i cili do të mund të vazhdonte punën pa pasur nevojë për t’u njohur me procesin e dialogut që po zgjat për 13 vjet me jo aq shumë sukses.
Ndër emrat që më së shumti vazhdojnë të përmenden janë ish-ministri i Finlandës Pekka Havisto dhe diplomati nga Danimarka Peter Sorensen. Që të dy kanë përvojë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Emrat e Havistos dhe Soprensenit, si kandidatë potencial, ishin përmendur edhe gjatë verës së vitit 2023 kur Lajçak ishte emëruar të jetë ambasador i BE-së për Zvicër dhe pritej që në atë post të shkojë që nga shtatori i vitit 2023. Por Lajçak kishte hequr dorë nga posti i ambasadorit të BE-së në Bernë për, siç thuhej “shkaqe personale”.
Burimet diplomaitke në BE thoshin se ai post Lajçakut i dukej i nivelit tepër të ulët për të. Ndërkohë ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell ia kishte vazhduar mandatin Lajçakut deri në fund të janarit të këtij viti. Arsyetimi i zgjatjes së re të mandatit ishte se emërimi i pasardhësit të Lajçakut do t’i lihej përfaqësueses së re të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Kaja Kallas dhe se në ndërkohë nuk duhet lënë ndonjë vakum në këtë postë.
Edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor ishte përmendur shpesh si kandidat potencial për postin të cilin deri tash e ka mbajtur Lajçak. Por vetë Pahor, i cili e kishte konfirmuar më herët se ishte i interesuar për atë post, dhe se e kishte mbështetjen e qeverisë sllovene, të premten ka njoftuar se nuk ka paraqitur kandidaturën e tij dhe nuk është më i interesuar për atë post./Koha.net
Lini një Përgjigje