TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Janar 2025, 20:51

Vota e diasporës, a do e bëjnë ‘çunat e Londrës’ diferencën në 11 maj?

Shkruar nga Pamfleti

Vota e diasporës, a do e bëjnë ‘çunat e

Në vend që të angazhohen për të sjellë mijëra, sot mund të nisen grupe me 10-15 persona, ministra a deputetë, kryebashkiakë apo drejtorë, dhe të takohen në salla apo lokale, me emigrantët, tu kërkojnë të regjistrohen dhe të votojnë për partinë e tyre.

Në 11 maj mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Shqipëri dhe për herë të parë të drejtën për të votuar me postë do e  kenë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë kufinjve.

Mjafton që ata të regjistrohen me një proces që ka nisur sot dhe do të vijojë për pothuajse 2 muaj.

Në varësi nga numri i shqiptarëve që do të regjistrohen si votues mund të krijohet një ide se në çfarë mase mund të jetë pjesëmarrja e tyre në zgjedhje, nëse ajo mund të ndikojë në përcaktimin e një fituesi, apo sa peshë mund të ketë ajo në zhvillimet politike.

Paralelisht me çeljen e procesit të regjistrimit kemi një lëvizje massive të përfaqësuesve të Qeverisë, mazhorancës së Kryeministrit Edi Rama, kundrejt dy vendeve, Greqisë dhe Italisë, ku kemi ndoshta edhe përqëndrimin më të madh të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufinjve.

Dhe nuk është aspak çudi që vëmendja e socialistëve të Ramës të jetë e kufizuar vetëm në këto shtete, me synimin e qartë për të maksimalizuar mbështetjen me votë te shqiptarët që jetojnë e punojnë në këto shtete.

E nëse më parë kishte autobuzë, tragete apo avionë që mbusheshin për të sjellë emigrantë për të votuar, duke i paguar biletat, ose duke i bllokuar me orë të tëra në kufinjtë tokësorë, për t’ua sjellë në majë të hundës që të mos votonin dhe të ktheheshin mbrapsht, sot është më e lehtë për ‘mjeshtrat’ e politikës dhe pushtetit.

Në vend që të angazhohen për të sjellë mijëra, sot mund të nisen grupe me 10-15 persona, ministra a deputetë, kryebashkiakë apo drejtorë, dhe të takohen në salla apo lokale, me emigrantët, tu kërkojnë të regjistrohen dhe të votojnë për partinë e tyre.

Natyrisht që kjo është kosto shumë më e vogël se ajo kostoja financiare që është përdorur më parë për të prerë bileta avioni, autobusi, trageti apo për të paguar litrat e karburantit të atyre që udhëtonin me makinat e tyre, dhe me rastin e votimeve, edhe takonin të afërmit, miq e shok, bënin edhe ca pushime.

Interesante në procesin e votës së emigrantëve do të jetë, përqindja e shqiptarëve që jetojnë në SHBA, Britaninë e Madhe, Gjermani, sa interes do të kenë ata për të votuar dhe sa prej tyre do të mbështesin me votë subjektet e reja, Qeverinë apo opozitën?

Kjo për faktin se ndërsa në Itali dhe Greqi mund të ketë një ‘presion’ për të drejtuar votën, duket pak më e vështirë një proces i tillë për ata që kanë zgjedhur të jetojnë në 3 shtetet ku gjithashtu ka një shumicë emigrantësh shqiptarë.

E ndërsa më parë flitej për çunat e Dubait që mund të kenë influencuar në proceset zgjedhore në Shqipëri, këtë rradhë do të jetë interesant se kë do të mbështesin ‘çunat e Londrës’ sikundër janë pagëzuar me këtë emër ata që kanë emigruar drejt Britanisë së Madhe.

Ndoshta mund të jenë këta të fundit që në 11 maj të bëjnë një diferencë, jo aq të fortë sa të ketë rotacione politike, por mund të ‘dhurojnë’ nga distanca disa shuplaka, si kthim borxhi, meqë përdorën çdo rrugë e mjet, për t’u larguar ndoshta për një jetë më të mirë, ose për të ikur nga një vend ku nuk shihnin shpresë. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje