
Bardhi akuzohet se ka ndjekur një axhendë personale, përmes të cilës synon të zhvendosë PD nga orientimi i saj pro-perëndimor, në bashkëpunimin me individët e sanksionuar si "non grata".
Thellohet konflikti brenda Partisë Demokratike. Pas përjashtimit të 11 deputetëve nga grupi parlamentar, Basha ka marrë një vendim ekstrem ndaj Gazment Bardhit.
Kryesia ka vendosur ta përjashtojë jo vetëm nga grupi, por nga partia Gazment Bardhin. Bëhet me dije se Kryesia ka vendosur ditën e sotme përfundimin e anëtarësisë së Bardhit. Vendimi është marrë unanimisht pak minuta më parë.
Sipas Kryesisë së PD, ky vendim erdhi pas disa shkeljeve të njëpasnjëshme të kryera nga ish-sekretari i Përgjithshëm. Bardhi akuzohet se ka ndjekur një axhendë personale, përmes të cilës synon të zhvendosë PD nga orientimi i saj pro-perëndimor, në bashkëpunimin me individët e sanksionuar si "non grata", pra me Berishën.
“Vendimi i Kryesisë së PD erdhi pas shkeljeve të njëpasnjëshme të kryera nga ish-sekretari i Përgjithshëm ndaj vendimeve të organeve kolegjale të PD, shumë prej të cilave janë votuar dhe janë nënshkruar prej tij si dhe për veprime në kundërshtim me interesat politike dhe elektorale të PD, për mosnjohjen e institucioneve të dala nga vota e demokratëve. Po ashtu dhe për ndjekjen e një axhende personale, përmes të cilës kërkon të zhvendosë PD nga orientimi i përcaktuar nga Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar, në raport me aleatët strategjikë dhe bashkëpunimin me individët e sanksionuar si non grata, që kanë ndërmarrë një aksion dy vjeçar kundër Partisë Demokratike”, thuhet në argumentet e parashtruara nga Kryesia e PD-së.
Kujtojmë se ky vendim vjen menjëherë pas debatit me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha në seancën e shkuar në Kuvend.
Ndërkohë pak ditë më parë u përjashtuan 11 deputetë nga grupi parlamentar. Deputetët e përjashtuar janë: Greta Bardeli, Ina Zhupa, Isuf Çela, Asllan Dogjani, Bujar Leskaj, Edi Paloka, Kastriot Piroli, Lindita Metaliaj, Ludovik Hasanaj, Sorina Koti dhe Tomorr Alizoti.
Lini një Përgjigje