TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Shtator 2025, 07:35

Sot mblidhet Asambleja Kombëtare e PS, ‘Babloku’ vulos Qeverinë e re

Shkruar nga Pamfleti

Pritet që përbërja e kabinetit të jetë një miksim mes teknicienëve dhe përfaqësuesve politikë, por mund të ketë edhe risi me emra që hyjnë rishtas.

Sot mblidhet Asambleja Kombëtare e PS, ‘Babloku’ vulos
Edi Rama

Asambleja Kombëtare e PS do të mblidhet sot në Tiranë, ndërsa Kryeministri Edi Rama do të bëjë publike emrat e kabinetit qeveritar, por edhe ato të Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar socialist.

Në mbledhjen e Asamblesë, Rama po ashtu pritet të shpalosë edhe piketat e qeverisjes së 4 viteve të ardhshme dhe sfidat me të cilat do të përballet ajo, prioritet mbeten reformat e nevojshme për integrimin evropian, nën sloganin “Shqipëria 2030 në BE”. Gjithashtu me interes do të jetë të mësohet se si do të funksionojë qeveria e re, do të ketë shkrirje, bashkime dhe krijime dikasteresh të reja, në emër të reformës strukturore. Gjatë ditëve të fundit, Rama ka njoftuar reforma strukturore në disa prej Agjencive dhe Drejtorive kryesore në varësi të Qeverisë.

Asambleja e PS do të mblidhet në orën 11:00 dhe pritet të zgjasë rreth 3 orë, ku padiskutim pjesa më e madhe e kohës do t’i takojë Kryeministrit që pritet të shpalosë objektivat, përbërjen e Qeverisë, si dhe ndryshimet strukturore.

Kreu socialist, njëherazi edhe Kryeministër, ka ruajtur me fanatizëm emrat që do të propozojë për postet ministrore. Në media janë aluduar disa emra si kandidatë për ministra, ndërkohë që në rrjetet sociale nuk kanë munguar lista me emra në formë memesh, duke ironizuar të gjithë procesin.

Pritet që përbërja e kabinetit të jetë një miksim mes teknicienëve dhe përfaqësuesve politikë, por mund të ketë edhe risi me emra që hyjnë rishtas. Kryeministri Edi Rama ka luksin që të eksperimentojë, edhe pse në deklaratat publike është shprehur se mandati i katërt është një përgjegjësi e madhe.

Sipas rendit të ditës, pas fjalës së kryeministrit Rama, do të ketë një hapësirë për diskutime.

Mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS zhvillohet një ditë përpara nisjes së punimeve të Kuvendit, në legjislaturën e re, të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka dekretuar tashmë datën 12 Shtator për mbledhjen e legjislaturës së XI-të. Seancë në të cilën të 140 deputetët e rinj do të betohen për të ushtruar detyrën e tyre në

Pas konstituimit të parlamentit, kryeministri Rama do të duhet që të dorëzojë në zyrën e Presidentit propozimet për ministra. Presidenti ka në dispozicion 7 ditë kohë për dekretimin e ministrave, ndërkohë që më pas brenda 10 ditësh dekretet e kreut të shtetit kalojnë për votim në seancë plenare. Në të njëjtën seancë ku kryeministri paraqet edhe programin politik të qeverisë së tij.

Seanca e parë në Kuvend

Seanca e parë në Kuvend do të mbahet më 12 shtator në orën 10:00, bazuar në dekretin e Presidentit Bajram Begaj.

Kjo seancë drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë dhe vendimi i vetëm që mund të merret është ngritja e komisionit që verifikon mandatet e deputetëve.

Parlamenti rimblidhet sërish pasditen e së premtes dhe deputetët bëjnë betimin.

Në këtë seancë do të zgjidhet me votim të fshehtë kryetari i ri i Kuvendit, që vjen si propozim i Partisë Socialiste që fitoi zgjedhjet.

Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, emëron Kryeministrin me propozim të partisë që ka shumicën e vendeve në Kuvend.

Më pas, Kryeministri Edi Rama shkon në Parlament dhe paraqet, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij.

Miratimi i qeverisë është një nga mbledhjet më të rëndësishme të Parlamentit dhe, tradicionalisht, debati ka zgjatur dy ditë, pasi pothuaj të gjithë deputetët diskutojnë për programin e qeverisë.

Pas votimit në Parlament, Kryeministri Edi Rama dhe ministrat bëjnë betimin para Presidentit të Republikës dhe, pas kësaj, qeveria e re e Edi Ramës nis zyrtarisht punën.

‘babloku’vulos qeverinë e re

Lini një Përgjigje