Njihuni me rezultatet e sondazhit tonë për kryeqytetin...
“Pamfleti” ka nisur një cikël sondazhesh, për të parë opinionin publik mbi listat e hapura të dy partive të mëdha, PD dhe PS, në qarqet kryesore të vendit.
Të enjten ne hapëm një sondazh online te faqja jonë, mbi emrat që preferohen në listën e PS, ndërsa dje hapëm një sondazh për listën e hapur të koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Në këtë sondazh çdo individ ka të drejtë të votojë vetëm njëherë.
Deri në momentin që flasim, pjesë e sondazhit online janë bërë mbi 2300 persona. Duhet të theksojmë se një sondazh i kësaj natyre nuk është një parashikim i saktë i asaj që do të ndodhë më 11 maj. Por është një tregues se kë preferojnë më shumë qytetarët. Për shkak se lista është e gjatë, ne kemi futur vetëm emrat e njohur.
Duke u bazuar te ky sondazh, rezulton se në listën e hapur të PD në Tiranë, më i preferuari rezulton Asllan Dogjani, i cili ka marrë 26 për qind të votave. Pas tij vjen Ilir Alimehmeti me 23 për qind, më pas Jorida Tabaku me 17 për qind dhe i katërti Myslim Murrizi me 11 për qind. Pas tyre vijnë Shpëtim Idrizi, Adriana Kalaja dhe Ilir Meta me nga 5 dhe 4 për qind. Ndërsa pjesa tjetër kanë marrë vota minimale.
Nëse shohim sondazhet, për shembull atë të prezantuar nga “Barometri”, PD është me ulje në Tiranë. Në zgjedhjet e 2021 mori 15 deputetë, por sondazhet flasin se mund të përfundojë në 12-13 deputetë. Pra duke qenë se 12 emra janë në listë të mbyllur, gara bëhet për një apo dy vende, nëse rrisim pak pritshmëritë.
Duke shkuar te sondazhi jonë, për këto 1-2 vende gara bëhet mes Dogjanit, Alimehmetit, Tabakut dhe Murrizit. Emrat e tjerë si Meta, Idrizi, Dhurata Çupi, Kreshnik Çollaku, Adriana Kalaja, Edith Harxhi, etj., kanë shanse minimale të bëhen deputetë.
Po e ritheksojmë se ky sondazh është vetëm një tregues, pasi më 11 maj gjithçka mund të ndodhë. Por nga matja e audiencës sonë, rezulton se 4 emrat më lart janë më të preferuarit. Ndërkohë sot kemi hapur një sondazh për Durrësin dhe ju ftojmë të bëheni pjesë e tij. /Pamfleti
Lini një Përgjigje