Sot Gjykata Kushtetuese ka shtyrë edhe një herë tjetër seancën për shqyrtimin e padisë së Partisë Demokratike për VKM për operacionet për ndërtimet pa leje.
Shkak i shtyrjes këtë herë është bërë pasi sipas Gjykatës Kushtetuese kërkohet një autorizim me firmë i të 28 deputetëve që kanë firmosur kërkesën për palën që do t’i përfaqësojë.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, e konsideroi absurde një vendim të tillë pasi sipas tij është në kundërshtim me praktikën 32-vjeçare.
Bardhi tha se Gjykata merr vendime dhe është e presionuar nga kryeministri Edi Rama, pasi e njëjta trupë gjykuese ka nxjerrë standard të ri gjykimi për të zvarritur procesin.
“Shkaku që herën e parë u shty ishte absurd për të zvarritur procesin. Sot konstatuam që e njëjta trupë gjykuese ka vendosur një standard të ri gjykimi duke zvarritur dhe më tej procesin. Jemi përfaqësuar me të njëjtin autorizim, ka një shantazh të drejtpërdrejtë nga ana e kryeministrit, gjykata po bëhet vegël. Është anti-kushtuese, gjykata e shtyn me ditë të tjera me një vendim absurd. Sot gjeti një shkak tjetër për ta shtyrë, çështja duhet të ishte zhvilluar më herët. Është shtyrë qëllimisht, që ndërtuesit të rregullojnë lejet për katet pa leje. Përpara një jave kanë dhënë të njëjtën praktikë, është e njëjta trupë, nëse do ndryshonte do e kuptoja. Të hapin dosjet gjyqësore është e njëjta autorizim, në këtë çështje ka ndërruar standardin. Zonja Kokona nuk ka vendim nga Këshilli i Ministrave që ta ketë autorizuar për seancën, është traditë 32 vjeçare. Gjenden shkaqe për ta zvarritur çështjen, sa pronarët të rregullojnë letrat. Oligarkët kanë kapur Gjykatën Kushtetuese, shenjën e dhanë me bordin e naftës”, tha Bardhi.
Në seancën e kaluar Gjykata Kushtetuese e shtyu vendimin për shkak të pretendimit që ngriti përfaqësuesja e qeverisë, Elira Kokona, e cila tha se pala paditëse nuk legjitimohet, për arsye se kërkesë padia është firmosur nga 2 deputetë që kane hequr dorë nga mandati, Grida Duma, Alfred Rushaj. Por kjo kërkesë e përfaqësueses së Qeverisë nuk u pranua.
Në tetor të vitit të kaluar, PD depozitoi në Gjykatën Kushtetuese nismën e firmosur nga 28 deputetë ku kërkohej shfuqizimi i vendimit të këshillit të ministrave për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, duke e konsideruar si marrje në mbrojtje të pronave të oligarkëve që kanë ndërtuar kulla në Tiranë.
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, përmes së cilit pronarët e pallateve ose duhet ta blejnë ndërtimin pa leje me çmimi tregu dhe në këtë mënyrë u legalizohet, ose ia dhurojnë shtetit. Në të kundërt ndërtimet do të sekuestrohen.
Lini një Përgjigje