TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Shtator 2025, 16:37

Shkarkimi i Veliajt, malore e madhe për Ramën/ Këshilltarët mblidhen në seli, kryebashkiaku paralajmëron “luftë” deri në fund

Shkruar nga Pamfleti

Shkarkimi i Veliajt, malore e madhe për Ramën/ Këshilltarët

Avokatët e Veliajt paralajmërojnë ankimim në Kushtetuese...

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pritet të nisë një betejë në Gjykatën Kushtetuese, nëse Këshilli Bashkiak e shkarkon.

Teksa anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës po mblidhen në selinë e PS, duket se ka ardhur sinjali i parë nga kryebashkiaku se ai nuk ka për t’u dorëzuar kaq lehtë.

Pasi ju dha urdhër në Asamblenë e PS, Rama dje i urdhëroi këshilltarët e PS të mblidhen sot në orën 17.00 në seli, teksa vetë nuk dihet nëse do të jetë i pranishëm, pasi dje nisi një vizitë në Bruksel. Mbledhja pritet të fokusohet te skenarët e shkarkimit të Veliajt dhe të mos ketë rrjedhje votash. Disa anëtarë aty janë mbështetës të Veliajt dhe frika e Ramës është se mund të ketë surpriza.

Por edhe nëse bëhet shkarkimi, beteja do të vijojë. Sipas “Top Channel”, burimet nga ekipi ligjor i kryebashkiakut në detyrë, bëjnë të ditur se ata do t’i drejtohen Kushtetueses në rast shkarkimi.

Argumentet e tyre përqendrohen në faktin se Veliaj nuk mund të shkarkohet për sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë kundër tij dhe për sa kohë nuk është arrestuar në flagrancë duke kryer një krim në detyrë (Prezumimi pafajësisë, neni 30 i Kushtetutës).

Sipas tyre, nëse do të ketë një vendim nga Këshilli Bashkiak që pritet të mblidhet së shpejti, Veliaj ka të drejtën të ankohet në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të Qeverisë për shkarkim. Erion Veliaj ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Kushtetuese; në momentin që bëhet ankesa, vendimi pezullohet.

Deri sa të marrë vendimin Gjykata Kushtetuese vendimi i qeverisë është i pezulluar (neni 115 i Kushtetutës).

Burimet nga ekipi ligjor i Veliajt thonë se nëse kryebashkiaku ankimon vendimin e Këshillit të Ministrave, automatikisht çdo vendim për ti hapur rrugë zgjedhjeve të reja për bashkinë e Tiranës pezullohet.

Këshilli Bashkiak i Tiranës, sipas legjislacionit në fuqi ka për detyrë të thërrasë kryebashkiakun Veliaj për ta dëgjuar për të marrë një vendim. Pyetja që ngrenë avokatët e Veliajt është se si do të cilësohet vendimi i shkarkimit nëse Veliajt nuk do t’i jepet e drejta për të folur në mbledhjen e Këshillit.

Sipas “Top Channel”, një tjetër pyetje që ngrenë juristët e ekipit ligjor të Veliajt është nëse konsiderohet  problematik ligji në formulimin e tij kur thotë se Erion Veliaj shkarkohet kur dënohet me vendim të formës së prerë, pra me vendimi përfundimtar të Gjykatës së Larte. Gjykimi deri në Gjykatën e Lartë zgjat me vite dhe nuk ka afate të shpejta hetimi dhe gjykimi, ndërkohë që kryetari i bashkisë është organ i zgjedhur.

Ata marrin edhe precedentët e viteve 2019 -2022 kur Bashkia e Durrësit dhe Bashkia e Shkodrës ishin për një kohë të gjatë pa kryetar bashkie në detyrë dhe në këto njësi nuk u zhvilluan zgjedhje të parakohshme.

Lini një Përgjigje