TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Nëntor 2025, 15:10

Shehaj: Tani po fillon lufta e vërtetë midis politikës së korruptuar dhe drejtësisë

Shkruar nga Pamfleti

Shehaj: Tani po fillon lufta e vërtetë midis politikës së

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që riktheu në detyrë kryetarin e Bashkisë Tiranë, ishte i orkestruar nga kryeministri Edi Rama.

Kreu i Mundësia, teksa e quan vendimin e Kushtetueses skandaloz, thekson se kjo gjë i duhej kryeministrit Edi Rama, për të mbrojtur Erion Veliajn dhe për të goditur SPAK-un.

Duke folur nga ambientet e jashtme të Gjykatës Kushtetuese, Shehaj thekson se kjo është koha kur Edi Rama ka nisur luftën e vërtetë me drejtësinë e cila kërkon t’i japë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

Agron Shehaj: Ditën e djeshme Edi Rama ka përdorur armën më të fortë që ka kundër SPAK-ut dhe kundër drejtësisë.

Ka përdorur Gjykatën Kushtetuese për të goditur SPAK-un në mbrojtje të Erion Veliajt.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte një vendim që i duhej Edi Ramës dje që sot të kërkonte lirimin e Erion Veliajt.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është skandaloz.

Praktikisht Gjykata Kushtetuese tha 'që një kryetar bashkie pavarësisht se është në hetim për korrupsion, pavarësisht se është në burg prej 8 muajsh, ai duhet të vazhdojë të jetë kryetari i Bashkisë së Tiranës'.

Dhe këtë Gjykata Kushtetuese e bën qartësisht për llogari të Edi Ramës i cili nuk ka më se si të fshihet dhe duhet të fillojë të sulmojë drejtësinë sepse po venë drejt Edi Ramës.

Pasi SPAK-u ka arrestuar Erion Veliajn, po heton Ballukun, po heton njerëzit më të afërt të Edi Ramës, tani nuk ka më kohë, tani po fillon lufta e vërtetë midis politikës së korruptuar dhe drejtësisë që kërkon t'i japë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

Lini një Përgjigje