TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Tetor 2023, 09:49

Samiti i Ministrave të Jashtëm në Tiranë, sot përballja e parë Kosovë-Serbi pas sulmit terrorist në veri

Shkruar nga Pamfleti
Samiti i Ministrave të Jashtëm në Tiranë, sot përballja
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz dhe Ivica Dadiç

Ditën e sotme në kuadër Samitit të Procesit të Berlinit, po mbahet për herë të parë në Tiranë takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit.

Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, takimi do të drejtohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Në këtë samit marrin pjesë: Komisioneri për Zgjerimin i KE, Oliver Varhelyi, përfaqësuesja e EAS, Angelina Eichhorst; ministrat e Jashtëm të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës si dhe të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit si Gjermania, Austria, Greqia, Hungaria etj.

Dita e sotme është hera e parë kur ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç do të ulet përballë homologes së tij kosovare, Donika Gërvalla pas tensioneve në veri të Kosovës, ku u vra efektivi i policisë, Afrim Bunjaku.

Takimi do të ketë 2 sesione të cilat do të jenë të mbyllura dhe në fund ministri Hasani, ministrja gjermane Baerbock dhe komisioneri Varhelyi do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Sipas njoftimit të MEPJ, linjat kryesore të Ministerialit do të jenë: forcimi i dimensionit rajonal, nënvizimi i rëndësisë së veçante të këtij procesi në kuadër të integrimit në BE, përforcimi i angazhimit lidhur me Tregun e Përbashkët Rajonal, katër lirive themelore, Agjendës së Gjelbër dhe atë Digjitale, përafrimi me Tregun Unik të BE-së, ruajtja e momentit rivitalizues të arritur në samitin e vjetshëm në Berlin, zbatimi i marrëveshjeve të lëvizshmërisë, forcimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve të rajonit, si dhe përshpejtimi i integrimit europian.

AXHENDA:

9:00 –09:30 Mbërritja e krerëve të delegacionëve

9:30- 10:15 Hapja e Sesionit I

10:45 Sesioni II

12:20 Mbyllja e takimit

12:30 Konferencë e Përbashkët për Shtyp – *Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, Ministrja për Punët e Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock dhe Komisioneri i BE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi (Media pool, për të gjitha mediat e akredituara.

Arritje kryesore të Procesit të Berlinit janë:

Krijimi i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO),

Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WBCIF)

Krijimi i Korridoreve të gjelbra brenda rajonit dhe korridoreve të gjelbra midis BP dhe vendeve të BE-së,

Marrëveshja Roaming (implementimi filloi me 1 korrik 2021)

Marrëveshja për uljen e tarifave roaming midis BP dhe BE-së (implementimi filloi më 1 tetor 2023)

Tre marrëveshjet e mobilitetit janë arritje të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal në kuadër të procesit të Berlinit

donika gërvalla schwarz dadiç tiranë

Lini një Përgjigje