TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Korrik 2023, 07:25

Rrogozhina rizgjedh sot kryebashkiakun, në garë sërish Memolla e Hoxha; të burgosurit përjashtohen nga votimet

Shkruar nga Pamfleti
Rrogozhina rizgjedh sot kryebashkiakun, në garë sërish Memolla e
Shkëlqim Hoxha dhe Edison Memolla

Rrogozhina shkon në votime ditën e sotme, ndërsa rreth 33 mijë qytetarë janë thirrur për të zgjedhur mes kandidatit Edison Memolla të PS dhe Shkëlqim Hoxha i koalicionit "Bashkë Fitojmë".

Pas shpalljes së pavlefshme të zgjedhjeve të 14 majit, 2 kandidatët Edison Memolla i PS e Shkëlqim Hoxha i koalicionit “Bashkë Fitojmë” janë sërish në garë për tu rizgjedhur në krye të bashkisë së këtij qyteti.

Janë 54 qendra votimi deri më tani, në të cilat, 32 mijë e 826 qytetarë do të drejtohen, nga ora 07:00-19:00 dhe ndryshe nga 14 maji, do të kenë vetëm një fletë votimi, atë për kryebashkiakun, ku po njëjtë si në zgjedhjet vendore, i pari në fletën e votimit do të jetë i renditur kandidati socialist Edison Memolla dhe numrin 2 do ta mbajë Shkëlqim Hoxha.

Shpresat për këtë të fundit janë shtuar, pasi në këto zgjedhje nuk do të votojnë të burgosurit, që në zgjedhjet vendore të 14 majit vulosën fitoren e Edison Memollës.

Në zgjedhjet e 14 majit, në Rrogozhinë morën pjesë në votime rreth 11 mijë votues dhe fitues u shpall socialisti Memolla me një diferencë prej 30 votash, kundrejt kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.  Ndërkohë, numri i votave të pavlefshme në këtë zonë elektorale ishte 276 vota, 9 herë më e madhe se diferenca e votave mes dy kandidatëve.

Pas ankesave të koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Kolegji Zgjedhor vendosi të shpallë të pavlefshme zgjedhjet pas një sërë shkeljesh.

Ndërkohë, ditën e djeshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe në Komisariatin e Policisë Kavajë, janë ngritur Grupet e Drejtimit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe menaxhimin e çdo lloj situate bazuar në planin e veçantë të masave.

Ndërkohë ka filluar funksionimi i aplikacionit “Monitorimi elektronik i shërbimeve të Policisë së Shtetit”, i cili shfaq në kohë reale raportimet e strukturave në terren për sigurimin e rendit publik dhe të objekteve zgjedhore, gjatë procesit të votimit në territorin e Rrogozhinës.

“Policia garanton qytetarët e Rrogozhinës së ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe pa intimiduar prej askujt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

rrogozhina kryebashkiak zgjedhje

Lini një Përgjigje