
Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar festën e Partisë Socialiste për të sulmuar Albin Kurtin dhe kritikët e tij në Kosovë.
PS feston sot 32-vjetorin e themelimit dhe Rama në fjalën e tij u ndal te propozimi për Asociacionin, propozim që u refuzua nga Kosova. Rama sulmoi ashpër ata që i dolën kundër, duke deklaruar se duan të luajnë luftash.
“Ata që e kanë kundërshtuar pa ditur përmbajtjen si në Prishtinë e Beograd duke thënë nuk duhet të dëgjojnë propozim nga Shqipëri, u them 2 gjëra. Së pari, ata që flasin kështu jetojnë me komunizmin në kokë kur politika merrej me kush e tha dhe jo se çfarë tha. Vërtet ata vendosin për veten, por ky rajon nuk është i tyri, por dhe i joni. Nëse atyre u vjen më për mbarë të luajnë luftash një treçerek shekulli pasi lufta ka mbarur, ndërkohë që asnjëra palë dhe tjetra nuk i hapin dot as luftë njëra-tjetrës, por as të shtëna. Sepse aty është NATO. Aleatëve po u soset durimi sepse duan paqen finale. Unë ju them jo që nuk jemi të interesuar për atë lojë luftash, por jemi kundër asaj loje luftash”, tha Rama.
Ndërsa sa i takon marrëdhënies me Kurtin, Rama tha se të dy kanë qëllime të njëjta, por pranoi se nuk rrugët e tyre janë gjithmonë e më të ndara për arritjen e këtij qëllimi.
“Qëllimi im dhe i kryeministrit të Kosovës janë krejt të njëjtë por rrugët për arritjen e atij qëllimi nuk i shohim njësoj madje gjithnjë e më ndryshe sidomos kohët e fundit. Për mua kursi i përplasjes me aleatët tanë është një aventurë pa kuptim për të gjithë kotësinë e vetë”, vijoi ai.
Në fjalën e tij Rama u ndal dhe te zhvillimet në vend. Ai i cilësoi Metën e Berishën si hije të së shkuarës, ndërkohë që arrestimet që po ndodhin në radhët e PS, ai i shiti si suksese të reformës në drejtësi. Po ashtu nuk munguan dhe kritikat ndaj socialistëve.
“Pa e futur thellë gozhdë në kokë sot që na e kanë dhënë tërë këtë besim të vërtetën se shqiptarët nuk kanë sesi të jenë të kënaqur me ne, ne s’do u shpëtojmë shuplakës së tyre nesër kur të na kërkojnë që të na votojnë përsëri. Duhet të projektojeni me të ardhmen duke e nisur reflektimin dhe punë nga vetja siç kemi bërë pas çdo zgjedhje, kur të tjerët kanë humbur dhe kanë bërtitur fitore. Sot ne kemi nevojë për një fillim të ri, për një projekt të ri politik dhe organizativ. Na duhet të shkojmë përtej PS-së ku të krijojmë një hapësirë të re politike dhe sociale. Duhet të hapim rrugë të reja për të bashkua në një komunitet të ri politik anëtarët, simpatizantët dhe qytetarët e interesuar të ecim para. Prioriteti i prioritetit të qeverisjes vendore do të jetë njerzillëku. Qytetarët janë në pritje të diçkaje, të cilën fati dhe nderi ynë e kërkon prej nesh", tha Rama.
Sa i takon arrestimeve në kampin rozë, Rama tha se reforma në drejtësi për këtë qëllim u krijua. Sipas tij, drejtësi është deti që PS vendosi ti hynte përmes në këmbë.
“Madje ka detaje të neveritshme të pikturuara nga dhënësit e drejtësisë së re. Por ky është deti që i kemi hyrë në këmbë dhe 4-5 vite për të ndryshuar kursin e një historie totale. Ndarje me zjarr e hekur nga Europa, në mos janë sekonda janë minuta për historinë. Ashtu sikundër gabimi dhe faji nuk kanë si përjashtohen në këtë proces jo vetëm për ata që shkojnë para drejtësisë, por dhe për ata që thërrasin ata para drejtësisë. Prandaj motra dhe vëllezër, shokë dhe shoqe, kokën lart dhe vetëm përpara”, tha ai. /Pamfleti
Lini një Përgjigje