
Ndonëse në prag të zgjedhjeve ndalohen investimet dhe manovrat për të siguruar vota, kryeministri Edi Rama ka nisur propagandën. Pas deklaratave nga shkallët e Kryeministrisë se do të rrisë pagën minimale, ai shkoi te një kompani ndërtimi me një tabelë me vete, ku ju shpjegonte të pranishmëve se si shteti do rrisë pagat.
Megjithëse premtoi shtet dixhital, luftë kundër informalitetit, zhdukjen e borderove të dyfishta të biznesit, sot kryeministri pranoi që kompanitë kanë ende punonjës në të zezë.
“Një pjesë e punonjësve paguhen në të zezë. Me përfitime që janë përtej normales dhe që shkojnë deri te pika e fundit e gjakut dhe djersës nga ana e kapitalistëve tanë, goditet punonjësi dhe shteti. Ajo paga që merret në të zezë është grabitja e pensionit dhe asistencës shëndetësore në rast nevoje. Goditet edhe shteti, pasi në pagën minimale shteti nuk ka taksa. Këtu nuk është fjala për taksa, por për vetë ata që marrin pagën, për punonjësit të cilët zhvishen nga e drejta për të pasur një pension të drejtë. Si do të rriten pensionet aq sa duhet nëse nuk ka kontribut për pensionet?”, u shpreh Rama.
Teksa pranoi se ka ende biznese që mbajnë punonjës në të zezë, kryeministri urdhëron kontrollin dhe gjobitjen me qindra mijëra euro të kompanive që i deklarojnë pagat 100% në bankë, që nuk kanë bilance të dyfishta dhe që paguajnë siguracionet e punonjësve të plota siç e parashikon ligji.
Rama deklaroi se nuk do pranojnë më kompani ndërtimi që kërkon para nëse nuk i paguajnë 68 mijë lekë punëtorët.
"Ne po formulojmë një draft që do kalojë në parlament, ne nuk do pranojmë më kompani ndërtimi që kërkojnë para taksapaguesve për të ndërtuar rrugë, çerdhe, kopshte apo çfarëdo tjetër, e nuk do i pranojmë edhe nëse kërkojnë leje ndërtimi nëse japin paga të tilla. Nuk i financojmë dot se i bie përdorin instrumentin e abuzimit të njeriut, e trajtojnë punën si shfrytëzim.
68 mijë që është një pagë mesatare e lidhur me çmimin. Kjo 68 edhe më shumë do bëhet, pas zgjedhjeve do bëhet edhe më shumë", tha ai.
Lini një Përgjigje