
Vjen reagimi i shumëpritur nga SHBA, por nuk përmendet askund fituesi i zgjedhjeve...
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë futur në ankth Edi Ramën. Pas gati dy javësh nga zgjedhjet e 11 majit, ambasada e SHBA ka reaguar ditën e sotme; një reagim i cili lë vend për shumë interpretime.
Ambasada, përmes një mesazhi shumë të shkurtër, uron popullin shqiptar për zgjedhjet dhe jo atë që fitoi, pra kryeministrin Edi Rama.
“Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, shprehet ambasada.

Pra, duket qartë që është një goditje për Kryeministrin. Shumë liderë të tjerë botërorë uruan Ramën për fitoren, dhe në përgjithësi kështu ndodh; pra urohet partia fituese. Vetë ambasadat e SHBA-së nëpër botë dhe vetë Sekretari Rubio, në shumë mesazhe që kanë dhënë për zgjedhje, kanë uruar fituesit. Por mesazhi që ka shpërndarë ambasada u drejtohet shqiptarëve dhe kryeministri nuk përmendet askund. Ndërkohë në zgjedhjet e 2021, kishte një urim krejt ndryshe, si nga ambasada ashtu dhe nga DASH.
Kjo tregon se, sado t’i serviloset Rama Uashingtonit duke u afruar me dhëndrin e Trump, ata nuk negociojnë kur vjen puna te standardet demokratike. Këto zgjedhje kanë qenë ndër më problematiket, pasi ka pasur presione, angazhim shtetëror dhe të botës së krimit për të fituar këto zgjedhje. Për më tepër, një fitore e tillë nuk i shërben aspak demokracisë dhe amerikanët ja dërguan selamin e parë Edi Ramës.
Një ditë më parë, “Pamfleti” tregoi se si SHBA ka uruar shumë liderë kohët e fundit që kanë fituar zgjedhjet. Uashingtoni ka reaguar brenda pak orësh pas zgjedhjeve në vende të tjera – nga Kanadaja e Singapori, te Ekuadori e Rumania. Vetëm në dy muajt e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë përgëzuar zyrtarisht liderë të zgjedhur rishtazi si: John Briceño, Belize (14 mars); Daniel Noboa, Ekuador (17 prill); Kamla Persad-Bissessar, Trinidad dhe Tobago (29 prill); Mark Carney, Kanada (30 prill); Anthony Albanese, Australi (3 maj); Lawrence Wong, Singapor (4 maj); Nicușor Dan, Rumani (20 maj).
Por reagimi i ambasadës së SHBA në Tiranë është unik, pasi fituesi nuk përmendet dhe duket se SHBA u ka dërguar mesazh shqiptarëve se është krah tyre dhe jo krah politikanëve që dinë të bëjnë zullume dhe mendojnë vetëm për interesat e tyre. /Pamfleti
Lini një Përgjigje