
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit që mbajti në festën e 32 vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste, nuk la pa përmendur edhe arrestimet e ndodhura kohët e fundit në radhët e partisë së tij.
Ai u mundua t’i shesë këto arrestime si një sukses i reformës në drejtësi, që sipas tij u arrit vetëm falë vendosmërisë së PS për ta çuar përpara këtë reformë tepër të rëndësishme.
Ndërkohë që nuk la pa jua kujtuar edhe në këtë rast të gjithë kabinetit të tij se duhet të kenë kujdes, pasi nëse kapen në flagrancë nga drejtësia, ai nuk do të ndërhyjë për t’i marrë në mbrojtje, siç ka bërë edhe në rastet e fundit. Edhe pse dikur ata që sot arrestohen kanë qenë bashkëpunëtorë të tij, ai vazhdon të mos mbajë asnjë përgjegjësi dhe po i shet dita-ditës para drejtësisë.
“Raporti i PS-së me drejtësinë. Ky raport ka nisur me burgosjen e liderit të PS-së. Është zhvilluar më pas si një raport për respektin për pavarësinë e gjyqësorit. Por edhe si një raport me plagë të hapur nga gjyqësori i përdorur politikisht kundër nesh. Drejtësia dikur ishte vegël e pushtetit të kundërshtarëve tanë dhe pastaj është ngritur në nivelin historik të Reformë në Drejtësi, kur kjo parti i hyri detit!
PS është e vetmja parti në pushtet që as nuk ka vrarë as burgosur e as rrahur një njëri të vetëm për arsye politike në të gjitha vitet që ka drejtuar vendin. Asnjë parti tjetër që nga 1912, nuk e ka bërë dot. Ata që japin drejtësi merren pa asnjë pengesë me zyrtarët të lidhur me pushtetin drejtpërdrejt, ndërkohë kanë gjithë mbështetjen e partisë në pushtet. Flet shumë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Shqipëria fëmijëve tanë falë reformës në Drejtësi, familjet shqiptare të fëmijëve tanë do kenë drejtësi. Kokën lart dhe vetëm para, me bindjen se o e bëjmë ne o se bën askush tjetër Shqipërinë”, tha Rama ndër të tjera.
Lini një Përgjigje