TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Qershor 2026, 19:09

“Rama ik, Berisha ik”, bulevardi jehon kundër kastës së vjetër politike; protestuesit kërkojnë qeveri tranzitore!

Shkruar nga Pamfleti

“Rama ik, Berisha ik”, bulevardi jehon kundër kastës

Qytetarët marshuan drejt Kryeministrisë me thirrje kundër qeverisë, por edhe me mesazhe të forta ndaj opozitës. Protestuesit kërkuan që lëvizja të mos përdoret nga partitë politike.

“Rama ik, Berisha ik” ishte një nga thirrjet që dominoi protestën e sotme në Tiranë, ku qytetarët u mblodhën për të dhjetën ditë radhazi për të shprehur pakënaqësinë ndaj gjithë klasës politike.

Me mesazhet si “Atdheu është i yni”, “Atdheu nuk shitet” dhe “Shqipëri e Re”, "Ju erdhi fundit", protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë duke kërkuar ndryshim politik dhe largimin e qeverisë.

Po ashtu protestuesit kërkuan ngritjen e një qeverie tranzitore si zgjidhje për krizën politike në vend. Sipas tyre, largimi i klasës aktuale politike dhe organizimi i zgjedhjeve nga një qeveri teknike përbëjnë kushtin kryesor për një ndryshim real dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet.

Gjatë marshimit u dëgjuan gjithashtu thirrje si “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, ndërsa protestuesit kërkuan largimin e qeverisë dhe ndryshime të thella politike në vend.

Por ndryshe nga ditët e para të protestës, në tubimin e sotëm pati edhe mesazhe të drejtpërdrejta ndaj opozitës. Disa prej pjesëmarrësve akuzuan eksponentë politikë se po përpiqen të përfitojnë nga lëvizja qytetare dhe kërkuan që protesta të mbetet e pavarur nga partitë.

“Larg duart nga protesta”, “Mos e përdorni kauzën tonë për politikë” dhe “Kjo është protestë qytetare”, ishin disa nga mesazhet e artikuluara gjatë tubimit.

Në fjalimet e mbajtura para protestuesve u hodhën akuza se përfaqësues të opozitës po tentojnë të ushtrojnë ndikim mbi lëvizjen. Një prej folësve deklaroi se protesta është ngritur për shqetësimet e qytetarëve dhe jo për interesa politike, duke shtuar se “politikanët i ka kapur paniku”.

Ndërkohë, organizatorët vijojnë të insistojnë se lëvizja ka lindur si reagim ndaj investimit të parashikuar në Zvërnec, por tashmë po shërben edhe si platformë për të artikuluar pakënaqësi më të gjera që lidhen me ekonominë, emigracionin, korrupsionin dhe përfaqësimin politik.

Protesta e sotme u zhvillua paralelisht edhe me tubime në Lezhë, Fushë Krujë dhe Lushnje, ku qytetarët shprehën qëndrime të ngjashme kundër qeverisë dhe situatës politike në vend.

Që prej orës 18:00, protestuesit nisën të grumbullohen në Sheshin “Skënderbej”, ndërsa rreth orës 18:30 marshuan drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas drejt Kryeministrisë, duke ndjekur itinerarin e zakonshëm të ditëve të fundit.

Me flamuj kombëtarë në duar dhe pankarta kundër qeverisë, pjesëmarrësit kërkuan largimin e klasës aktuale politike, ndërsa organizatorët bënë thirrje për qetësi dhe shmangie të çdo provokimi gjatë tubimit.

“Të ruajmë qetësinë, mos u provokoni, mos të kemi inskenime. Ruani fëmijët, ju lutemi prindërve që mbajini afër fëmijët gjatë protestës dhe qëndroni të bashkuar”, deklaroi një nga aktivistët që drejtonte marshimin.

Pjesëmarrësit kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se lëvizja duhet të mbetet qytetare dhe e pavarur nga çdo forcë politike.



protesta “rama ik berisha ik”

1 Komente

  1. N
    Ne ferr komunizmi

    Bravo shqipe, te gjith bashk kunder zgjebarakve komuniste ,shfarrosje komunizmit

    Lini një Përgjigje