
Berisha dhe Rama janë kthyer sot në një amalgamë enësh komunikuese, ku gjithçka është ngritur në sistem...
Vallet dhe kënga me çifteli, në nderim të doktorit të katit të tetë, për të festuar 80 vjetorin, tani janë më shumë butafori sesa një shprehje besnikërie.
Kushdo që e do Sali Berishën, në radhë të parë si individ, pra si njeri, apo edhe si model politik, kush e do me të vërtetë, ka qarë e nuk ka qeshur, me atë skenë që dhanë televizionet.
Viktimizimi dhe krijimi në eter i ndjenjës së dhembshurisë si dhe empatia për doktorin është goditja më e madhe ndaj tij.
Ai që e ndjen veten afër Sali Berishës, sot do të duhet t’i kërkojë urgjentisht që të hapë rrugën e një transformimi dhe rithemelimi real të opozitës. Nëse e ka me merak, të rrijë në prapaskenë, duke ndihmuar dhe këshilluar këtë opozitë.
Të gjithë ata që i rrijnë afër sot Berishës, pra familjarët e tij por edhe të afërmit, nuk kanë fuqi për të menduar normalisht dhe lirisht. Ata apo ato janë peng të problemeve personale gjyqësore, pasurore dhe të biznesit.
E gjithë logjika e tyre politike është e ngushtuar për të ndaluar ndërprerjen e tagjisë, ose për të mbijetuar bizneset e tyre. Dhe për këtë do t’i duhet vetëm një marrëveshje me “djallin” Edi Rama. E një marrëveshje me djallin nuk është gjë tjetër veçse një marrëveshje me të keqen. Ku sado që të ketë përfitime ndonjë palë, prapë e keqe mbetet.
E pikërisht në këtë logjikë, Berisha dhe Rama janë kthyer sot në një amalgamë enësh komunikuese, ku gjithçka është ngritur në sistem. Pasi ishte Sali Berisha i pari që ra në kurthin e ‘2008, kur ndryshoi Kushtetutën me Edi Ramën duke forcuar kryeministrin e kryetarët e partive, e tani po merr mbrapsht karmën. Të cilën do ta marrë edhe Rama nesër, por që ndryshe nga Saliu, Edi është më finok. Pasi në strategjinë e tij, ka zgjedhur hap pas hapi që të luajë me disa fronte, kurse Berisha ka përdorur të vetmen që di, pra kërcënimin se po e preke atë atëherë digjet bota. Siç edhe mund të jetë djegur, por zjarri djeg, si dhe ngroh. Përkatësisht është energji dhe sinergji.
Rama në logjikën e luftës e ka perfeksionuar më shumë teorinë e Sun Xu për artin e saj. Ku nuk e fiton ai që është më i fortë, por ai që lëviz më shpejt se kundërshtari.
Sali Berisha, që prej ‘2005 kur u bë Zoti i këtij vendi për herë të dytë, mendoi se do luante me Edi Ramën si ‘macja me miun’, duke e futur miun në birucë, e ta luftonte sa herë dilte. Ja arriti në fillim kur mblodhi rreth vetes Ilir Metën e Fatos Nanon, por kur “miu” e joshi në 2008, në të vërtetë “macja” u josh vetë, doktori nuk bëri gjë tjetër veçse nxori miun(Edin) nga vrima.
Lufta ‘macja me miun’, tani bëhej në fushë të hapur. E duke ju kthyer gjenetikës, macja është një qenie krenare, mendjemadhe dhe pak mbijetuese, kurse miu është e kundërta. Kampion i mbijetesës. Nuk është çudi që miu ka më afërsi me gjenetikën njerëzore, ndaj dhe shkencëtarët e përdorin për eksperimente.
Në pak vite, “Miu”-Edi e tejkaloi ”macen”-Sali, duke arritur të ambjentohet e përshtatet më mirë në terren, duke nxjerrë nga llumi “aleancën e qelbësirave”. Të cilën “macja”-Sali e kishte mbajtur afër, ngaqë donte ta përdorte kundër “miut”-Edi.
E nëse i kthehemi shrehjes “të gjithë derrat një turi kanë”, që është metaforë ekzakte për këtë habitat gjallesash, fitoi ai që ishte më i afti të mbijetojë.
Sepse mbijetesa nuk është thjesht forcë, është në radhë të parë dije dhe kuptim. Shto këtu përshtatjen dhe lëvizjen në terren.
Sot, Edi Rama, është bërë ‘mace’, por me instiktin e ‘miut’, kurse doktori, edhe pse është mace, apo dac nëse i pëlqen, është vagabond/e. Madje tani nuk e lënë as të dali. E për të gjetur ushqim, e për të shpëtuar këlushët, i mjaullin ‘miut’, që me kurorën e leshtë në kokën e tij të madhe, i bën Saliut si luan. Duke i treguar se tashmë doktori është pjesë e “miut-luan”, pra janë bërë siamez, por në fund të fundit është një kafshë shtëpiake e tij. Ku çdo protokoll varet nga “miu-luan” i 2030-ës./Pamfleti
Lini një Përgjigje