TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Qershor 2026, 11:20

"Rama antimiting në Vlorë", Berisha: I ka kërkuar administratës të përçajnë protestën e qytetarëve

Shkruar nga Pamfleti
"Rama antimiting në Vlorë", Berisha: I ka kërkuar
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama se po organizon një “antimiting” në Vlorë, në të njëjtën kohë me protestat e paralajmëruara nga opozita lidhur me çështjen e Zvërnecit.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha pretendoi se mazhoranca u ka kërkuar punonjësve të administratës publike në jug të vendit të marrin pjesë në një tubim në Vlorë, me qëllim, sipas tij, përçarjen dhe zbehjen e protestës qytetare.

Kreu i demokratëve e cilësoi të papranueshme përdorimin e administratës në aktivitete politike dhe akuzoi qeverinë për përpjekje për të krijuar përçarje mes qytetarëve.

Berisha pretendoi gjithashtu se janë dërguar mesazhe tek punonjësit e administratës në jug të vendit për pjesëmarrje në aktivitetin e planifikuar në Vlorë, ndërsa bëri thirrje që ai të anulohet.

Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës dënoi edhe ndërhyrjen e policisë gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, duke e cilësuar përdorimin e forcës ndaj protestuesve si të papranueshëm.

“Denoncoj me forcën më të madhe vendimin e kreut të Meduzës, kreut të organizatës kriminale për të organizuar nesër në Vlorë anti-mitungun e turpshëm të historisë. Ju paralajmëroj se antimitingjet tuaja nuk do të tolerohen, do të marrin atë përgjigje që do të mjeroheni me të. A ka akt më të turpshëm të marrësh nënpunësit dhe të dalësh në anti-miting ndaj protestës qytetare. A ka akt më përçarës? Hiqni dorë, anulojeni. Keni dërguar mesazh te të gjithë punonjësit e të gjithë Jugut, njësoj si Ramiz Alia që donte të shpallte Republikën e Vlorës me vullnetarët e Enverit. Tani janë vullnetarët e Edit. Dënoj edhe dhunën ndaj qytetarëve në protestë. Është fashiste, staliniste praktika e anti-mitingjeve. Kam publikuar mesazhet që keni nisur në administratë”, tha Berisha.

 

Lini një Përgjigje