
Kryeministri Edi Rama dhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, do të mbajnë sot një konferencë të përbashkët për shtyp në ambientet e Kryeministrisë, në orën 11:00.
Konferenca vjen një ditë pasi Bashkimi Europian publikoi progres-raportin për vendin tonë, ku nënvizohej se Shqipëria ka ruajtur një linjë të qartë politike në përputhje të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë mbështetjen për sanksionet ndaj Rusisë, një qëndrim që Brukseli e cilëson si dëshmi e besueshmërisë si vend partner
Nga Brukseli, Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi në mënyrë të veçantë Shqipërinë për arritjet e bëra në kryerjen e detyrave për procesin e negociatave.
Edhe Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, tha se Shqipëria ka bërë një progres të paprecedentë, duke shtuar se e shikon të mundur anëtarësimin e vendit tonë në BE deri në vitin 2030.
Ndërsa kreu i qeverisë shqiptare, në fjalën e tij në Samitin e Zgjerimit të BE-së, më 4 nëntor 2025, u shpreh se Shqipëria po lufton korrupsionin dhe se reforma në drejtësi po godet zyrtarë të lartë të përfshirë në korrupsion, qoftë majtas apo djathtas.
Ai u shpreh se brenda vitit 2030, do të jemi në tryezën e Bashkimit Europian, falë reformave të thella që po ndodhin në vend.
Lini një Përgjigje