Parlamenti zviceran pezulloi përfundimisht projektet në Shqipëri, pasi auditimet zbuluan abuzime masive me fondet, ndërsa qeveria shqiptare u përpoq ta mbulonte si një “vendim teknik”...
Federata Zvicerane, një nga donatorët më të mëdhenj në Shqipëri deri para një viti, alokoi për dekada miliona euro për ujësjellësa, rrugë, qendra komunitare, artizanë dhe shoqëri civile. Synimi ishte të ofronte alternativa për rininë në komunitetet e margjinalizuara dhe të ulte ndikimin e bandave shqiptare që prej viteve ’90 shndërruan Zvicrën në bazë të trafikut të heroinës e më pas të kokainës.
Çdo frank u kontrollua me imtësi, përmes audituesve ndërkombëtarë prestigjiozë. Raporti i hartuar nga autoritetet diplomatike zvicerane zbuloi se shumica e projekteve kishin bilance jo në rregull, fonde të pajustifikuara dhe korrupsion masiv. Paratë nuk kishin shkuar në destinacionin e tyre, por ishin përvetësuar nga subjektet përfituese, që varionin nga ministri dhe bashki deri te OJF të ndryshme.
Pas analizës së dokumenteve, Parlamenti i Zvicrës vendosi pezullimin e të gjitha projekteve me Shqipërinë. Vendimi është përfundimtar: çdo rinisje e mundshme mund të ndodhë vetëm me një votë të re të Parlamentit federal, gjë praktikisht e pamundur.
Në Shqipëri, mediat e afërta me qeverinë e minimizuan skandalin, duke e krahasuar me një vendim të administratës Trump për USAID, kur në fakt bëhej fjalë për korrupsion të dokumentuar. Qeveria e Edi Ramës, e goditura kryesore nga ky akt, nuk dha asnjë shpjegim dhe mbajti heshtje.
Burime diplomatike sugjerojnë se përveç shkaqeve publike, Zvicra ka edhe të dhëna të tjera që ruhen për arsye të brendshme dhe që mund të publikohen në momentin e duhur. Këto fakte pritet të peshojnë rëndë për mandatin e katërt të Ramës dhe të shfryjnë premtimin për anëtarësim në BE, që në çdo rast nuk mund të ndodhë para vitit 2026./Pamfleti
Lini një Përgjigje