TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Maj 2024, 19:30

Pas 2 orësh debate, tërhiqet Salianji: Balla dëshmon me dyer të mbyllura për ndërhyrjet në TIMS

Shkruar nga Pamfleti

Pas 2 orësh debate, tërhiqet Salianji: Balla dëshmon me dyer

Pas më shumë se dy orësh debate në Komisionin Hetimor të sistemit TIMS, kryetari Ervin Salianji ka pranuar kërkesën e ministrit të Brendshëm Taulant Balla që mbledhja gjatë dëshmisë së tij të zhvillohet me dyer të mbyllura.

Pas refuzimeve dhe përplasjeve me deputetët e PS, Salianji ka pranuar të hedhë në votim kërkesën e Ballës, e cila u miratua me shumicë votash.

Tashmë, ministri Taulant Balla do të dëshmojë me dyer të mbyllura.

Balla theksoi se çështja “TIMS” është objekt hetimi penal e për pasojë të dhënat nuk mund të bëhen publike për shkak të nevojave hetimore që lidhen me këtë procedim penal në proces e sipër.

Gjithashtu, u vendos që të pranishëm do të jenë vetëm deputetët që janë të pajisur me certefikatë sigurie. Shumica e deputetëve janë të pajisur me certefikatë sigurie, por ata që nuk e kanë do të detyrohen të largohen nga mbledhja.

Kujtojmë se, nënkryetari Tonin Gogu kundërshtoi deputetin e partisë Demokratike Ervin Salianji, duke i kërkuar të hedhë në votim kërkesën e Ballës, teksa shtoi se ky komision është vend pune dhe jo spektakli.

Sot pritej që të dëshmonin ministri Taulant Balla, kreu i Policisë Muhamet Rrumbullaku dhe personi që akuzohet se hyri në sistem Ervin Muça.

Lini një Përgjigje