TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Nëntor 2023, 11:12

Pas Melonit edhe Rama nxiton të kalojë paktin e refugjatëve, Kuvendi merr në shqyrtim draftin

Shkruar nga Pamfleti
Pas Melonit edhe Rama nxiton të kalojë paktin e refugjatëve,
Edi Rama dhe Giorgia Meloni

Marrëveshja e firmosur nga kryeministri, Edi Rama dhe homologia italiane, Giorgia Meloni pritet të futet ne axhendën e Kuvendit, për të nisur shqyrtimet në Komisionet Parlamentare dhe më pas për t’u votuar në seancë.

Socialistët e kanë përfshirë marrëveshjen me Italianë, që parashikon ngritjen e dy kampeve të refugjatëve në Shëngjin dhe në Gjadër të Lezhës.

Drafti do të miratohet sot në Konferencën e Kryetarëve, ndërkohë që maxhoranca duhet të vendosur për ta çuar deri në fund si nismë, edhe pse ajo ka patur shumë zëra kundër në arenën ndërkombëtare.

Duket se marrëveshja do shqyrtohet online, si buxheti i shtetit, i cili u miratua në parim pa prezantim dhe pa debate, për herë të parë në gjithë këto vite.

Ndërkohë kujtojmë që dje Parlamenti Italian nisi diskutimet për paktin me Shqipërinë për refugjatët. Drafti ka shkuar dje në Dhomën e Deputetëve dhe nuk kanë munguar debatet.

Ishte ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, ai i cili mbrojti patin paktin dhe u përball me akuzat e opozitës. Ai tha se nuk ka asnjë ngjashmëri mes paktit që Britani arriti me Ruandën. Tajani tha se shumë shpejt pakti do të vijë në formën e një projektligji.

“Qeveria ka goditur Kushtetutën”, tha sekretarja e Partisë Demokratike, e cila ngriti zërin për herë të parë në sallë gjatë fjalimit të Tajanit. 

Me këtë marrëveshje Italia po bëhet gati të paguajë fushatën e radhës së kryeministrit shqiptar Edi Rama, tha deputeti i Partisë Demokratike, Matteo Mauri.

“Po flasim për qindra miliona euro të italianëve. Ne duam të dimë sa policë, sa ushtarë do dislokohen atje? Mua më rezultojnë mijëra. Po këta gra e fëmijë si do rrinë, çfarë doni të bëni ju të ndani familjet e refugjatëve?”, tha Mauri.

Mes ironisë edhe deputeti Riccardo Ricciardi nga “Lëvizja 5 Yjet”, tha se fatura e turistëve italianë të paguar nga Meloni në Shqipëri do kushtojë 16,5 milionë euro, shto 100 milionë euro fond garancie.

Më pas Dhoma e Përfaqësuesve i dha dritën jeshile një rezolute të propozuar nga mazhoranca. Me 189 vota pro dhe 126 kundër të të gjithë opozitës u miratua drafti që angazhon qeverinë “të miratojë çdo iniciativë të nevojshme, duke përfshirë edhe një projekt-ligj ratifikimi, për një zbatim efektiv dhe urgjent të Protokollit” midis Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët. Kjo ndezi dritën jeshile që pakti të kalojë për miratim. 

Kryeministri Rama dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni deklaruan disa ditë më parë në një konferencë të përbashkët për shtyp se mijëra refugjatë që zbarkojnë në brigjet italiane do të strehohen në Shqipëri, në pritje të trajtimit të aplikimit të tyre për azil.

Të dy kryeministrat pozuan para kamerave duke firmosur një marrëveshje, që ndonëse shkaktoi një ortek reagimesh në Shqipëri, vazhdon të mbetet e panjohur për opinionin publik.

pakti rama-meloni për refugjatët

Lini një Përgjigje