TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Shkurt 2023, 13:44

Olta Xhaçka në “fije të perit”, Alibeaj vë në lëvizje Kuvendin për t’i hequr mandatin e deputetes

Shkruar nga Pamfleti

Olta Xhaçka në “fije të perit”, Alibeaj vë

Shumica e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese i dha të drejtë kërkesës së 1/10 së deputetëve të opozitës, duke i rrëzuar si antikushtetuese vendimet e Kuvendit për dy raportet e Këshillit të Mandateve lidhur me mandatin e Xhaçkës.

Rikthen telashet për Olta Xhaçkën. Ndonëse i shpëtoi herën e parë heqjes së mandatit, duket se këtë herë e ka pisk punën. Kushtetuesja pranoi kërkesën e PD dhe detyroi Kuvendin që të rinisë nga e para procedurat sa i takon ligjshmërisë së mandatit të deputetes.

PD pretendon se Xhaçka është në konflikt interesi, pasi burri i saj ka dalë investitor strategjik. PS e refuzoi shkarkimin, por Kushtetuesja shprehet e prerë se Kuvendi duhet të votojë pro kërkesës së PD dhe më pas do jetë Kushtetuesja ajo që do të vendosë nëse është apo jo legjitim mandati.

Deputetët anëtarë të Këshillit të Legjislacionit Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi, Dhurata Cupi, Saimir Korreshi dhe Greta Bardeli kërkojnë nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit të hënën në orën 12:00 dhe përfshirjen e kësaj çështje në seancën plenare të datës 2 mars.

Në mbështetje të nenit 70, pika 4 të Kushtetutës, nenit 119/1, pika 4 të Rregullores së Kuvendit dhe vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese, kërkojmë që në seancën plenare të datës 02.03.2023, të përfshihen në rendin e ditës: “1. Shqyrtimi i mocionit të 1/10 së deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhacka. 2. Dërgimi i çështjes për konstatimin e papajtueshmërisë me detyrën e deputetit të Znj. Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese’”, thuhet në kërkesë.

Vendimi i gjykatës

Shumica e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese i dha të drejtë kërkesës së 1/10 së deputetëve të opozitës, duke i rrëzuar si antikushtetuese vendimet e Kuvendit për dy raportet e Këshillit të Mandateve lidhur me mandatin e Xhaçkës.

Në nëntor të vitit të kaluar, Kuvendi vendosi të mos miratojë raportin e pakicës parlamentare dhe të miratojë atë të shumicës për çështjen Xhaçka.

Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi”, thuhet në vendimin e shumicës.

Mendimi i pakicës kundër në vendim përfaqësohej nga anëtarët Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Ilir Toska. Sipas arsyetimit të Bejtjes, kërkesa e 1/10 së deputetëve duhej të rrëzohej, pasi i heq gjykatës mundësinë për të vlerësuar në themel çështjen në bazë të kërkesës së 1/5 së deputetëve. Bejtja argumenton më tej se ky mekanizëm është mënyra e vetme për të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues, në rast se Kuvendi nuk vepron në përputhje me detyrimin kushtetues.

Ndërsa dy anëtarët Sandër Beci dhe Ilir Toska kundërshtuan vendimin për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes 1/10 e deputetëve dhe Kuvendit, pasi sipas tyre 1/10 e deputetëve nuk legjitimohet për fillimin e një gjykimi kushtetues për këtë çështje.

Kërkesa e grupit të PD

Në datën 22.02.2023, është shpallur vendimi i arsyetuar nr. 1, datë 23.01.2023 të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka vendosur: “Shfuqizimin e vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

Në përmbajtje të këtij vendimi, Gjykata ka arsyetuar se “Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetuese nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi.” (shih vendimin nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese, § 56).

Në këto kushte, në zbatim të vendimit të sipërcituar, në mbështetje të nenit 14 dhe nenit 87 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, kërkojmë thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Legjislacionin, ditën e hënë, datë 27.02.2023, me rend dite: “Shqyrtimi i vendimit nr. 1, datë 23.01.2023 të Gjykatës Kushtetuese”.

Gjithashtu, në mbështetje të nenit 70, pika 4 të Kushtetutës, nenit 119/1, pika 4 të Rregullores së Kuvendit dhe vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese, kërkojmë që në seancën plenare të datës 02.03.2023, të përfshihen në rendin e ditës: “1. Shqyrtimi i mocionit të 1/10 së deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhacka. 2. Dërgimi i çështjes për konstatimin e papajtueshmërisë me detyrën e deputetit të Znj. Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese”. /Pamfleti

xhacka kushtetuesja mandati

Lini një Përgjigje