TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Korrik 2023, 19:08

Nga zgjedhja e presidentit nga populli, te përcaktimi me ligj i numrit të ministrave, Basha del me propozime të reja

Shkruar nga Pamfleti
Nga zgjedhja e presidentit nga populli, te përcaktimi me ligj i numrit
Basha në Korçë

Lulzim Basha ka dalë me propozime të reja në kuadër të fushatës për kreun e PD. Ai është ndalur në Korçë, ku përveç propozimeve të pak ditëve më parë, si ndryshimi i sistemit zgjedhor, vetingu në politikë dhe kufizimi i mandateve për kryeministrin, ai ka dalë sot me projekte të tjera.

Basha ka propozuar që presidenti të zgjidhet nga populli. Po ashtu ka kërkuar që numri i ministrave të përcaktohet me ligj nga Parlamenti.

Ne duhet të rrisim mekanizmat e kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë, pavarësisht kush e drejton atë. Për këtë arsye duhet të realizojmë ndryshimin e formulimit të Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit. Duhet të kërkojmë që numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti. Ne duhet të heqim kontrollin politik të qeverisë nga punonjësit e administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë. Gjithashtu, zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit nga populli si mbartës dhe balancues i tre pushteteve, garantues i mbarëvajtjes së jetës politike dhe i zgjidhjes së krizave, deri në të drejtën për të shpërndarë parlamentin”, ka deklaruar Basha.

Basha tha se detyra e Partisë Demokratike është të bëhet sa më shpejt gati për ndryshimin e madh që duan shqiptarët. Sipas tij, duhet të përkushtohet çdo energji në hapjen, vitalizimin dhe modernizimin e strukturave të Partisë Demokratike.

Kjo kërkon angazhimin e secilit prej nesh në zgjerimin e formacionit tonë politik me përfshirjen e të gjitha grupimeve shoqërore, e të rinjve dhe të rejave, që besojnë te demokracia dhe një partneritet i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe. Të lirë nga hijet e së shkuarës, kemi përgjegjësinë të japim një model te ri në politikbërjen e vendit. Me Aleancën Qytetare për Demokraci do çlirojmë ekonominë dhe do të çojmë përpara ndryshimet kushtetuese, që do të zhbëjnë marrëveshjen e 2008-ës, dhe do të mundësojmë listat e hapura, vetting-un e politikanëve, votën e emigrantëve, kufizimin e mandateve”, tha ai.

Lini një Përgjigje