Ditën e nesërme, të hënën e 20 nëntorit në orën 10.00 është afati i dytë në të cilin ish-kryeministri Sali Berisha duhet të paraqitet në SPAK, para oficeres Adelajda Metaj, sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të datës 20 tetor 2023.
Ish-kryeministri Berisha akuzohet për korrupsion dhe i është ndaluar dalja jashtë vendit.
Ky vendim u la në fuqi në seancën e verifikimit të kushteve më 26 tetor ndërkohë që afati i parë për paraqitjen e Berishës, ishte e hëna e parë e muajit më 6 nëntor.
Në afatin e parë, ish-kryeministri Sali Berisha nuk e zbatoi masën “detyrim paraqitje” duke zgjedhur të mos shkonte në afatin e caktuar në zyrën e oficeres së SPAK.
Ai u shfaq tek kryesia e Kuvendit me një grup deputetësh të rithemelimit pikërisht në kohën kur duhej të ishte para drejtësisë.
Ish-kryeministri refuzoi të marrë pjesë në gjyq, me pretendimin se nuk mund të shkelë Kushtetutën. Berisha përmend nenin 73 pika 2 ku theksohet se deputetit nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria, pa autorizimin e parlamentit.
Ndryshe nga Sali Berisha veproi biznesmeni Fatmir Bektashi, që akuzohet nga SPAK se ka bashkëpunuar me Jamarbër Malltezin në transferimin e fitimit prej 5.4 milionë euro nga ndërtimet në ish truallin e kompleksit Partizani.
Edhe sipërmarrësi i ndërtimit, ka më 20 nëntor, afatin e dytë për tu paraqitur, sipas vendimit të gjykatës. Pas mosparaqitjes së Sali Berishës më 6 nëntor 2023, gjykata u dorëzoi avokatëve vendimin e zbardhur dhe dërgoi një letër në Kuvend, ku përpiqej ta njoftonte atë për vendimin në cilësinë e deputetit.
Sipas procedurës, nëse ish-kryeministri nuk paraqitet as në momentin e dytë të detyrimit të vendosur ndaj tij nga Gjykata, SPAK mund të kërkojë zëvendësimin e masës detyrim paraqitje dhe ndalim dalje jashtë shtetit. Masa e re, më e rëndë që mund të kërkohet është ajo e “arrestit në shtëpi” për të cilën duhet ti kërkohet autorizim parlamentit për heqjen e imunitetit ndaj Sali Berishës.
Në orën 09.00 të së hënës, gjykata e Apelit shqyrton edhe ankimin e avokatëve të tij ndaj vendimit të shkallës së parë. Mbrojtësit e Berishës, kanë kërkuar në Apel, deklarimin e humbjes së fuqisë së masës së parë, pikërisht pasi sipas tyre, ajo nuk është zbatuar brenda 48 orëve sipas neneve 248 dhe 249 të Kodit të Procedurës Penale.
Apeli shqyrton njëherësh edhe ankimet e avokatëve të Jamarbër Malltezit që kërkojnë heqjen e masës arrest me burg dhe atë ndaj biznesmenit Fatmir Bektashi, për detyrim paraqitje e ndalim dalje jashtë shtetit.
Ndërkohë po me urdhër të SPAK është arrestuar Jamarbër Malltezi (21 tetor), dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili u prangos në aeroportin e Rinasit për aferën e privatizimit të ish- kompleksit Partizani. Dhëndri i ish kryeministrit Berisha, Malltezi nën hetim për këtë çështje u arrestua gjatë kohës që po priste në Rinas bashkëshorten e tij Argita Berisha që kthehej nga Mynihu, ku kishte qenë tek vajza e sëmurë.
Ai është ndaluar jo nga policia kufitare, por nga agjentët që ekzekutuan urdhrin e lëshuar nga prokurorët e SPAK Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, firmosur nga gjyqtarja e GJKKO-së Irena Gjoka. Po ashtu SPAK ka lëshuar urdhër edhe për sekuestrimin e pasurive të Jamarbër Malltezit.
Me urdhër të SPAK detyrim paraqitje edhe Fatmir Bektashi, ortak me Malltezin dhe ndërtues i kullave ne ish-kompleksin Partizani. Ndaj tyre rëndon akuza për pastrim parash dhe korrupsion. Disa ditë më parë kreu i SPAK, Altin Dumani tha se po hetohet në mënyrë aktive për këtë çështje.
Afera e kompleksit Partizani ka shënjuar pushtetin e dytë të Sali Berishës në vitet 2005-2009, atë të tjetërsimit të pronës publike të ish-Kompleksit Sportiv Partizani, për llogari të familjarëve të Sali Berishës. Ka qenë kjo aferë që ka ndikuar në shpalljen non grata të Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për çfarë i akuzon SPAK
Jamarbër Malltezi – Akuzohet për "Korrupsioni pasiv i funksionareve te larte shtetërore ose te zgjedhurve vendore", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal dhe "Pastrimi i produkteve te veprës penale ose veprimtarisë kriminale". kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Sali Berisha- Akuzohet për kryerjen e veprës penale "Korrupsioni pasiv i funksionarëve të larte shteterore ose te zgjedhurve vendore, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25i Kodit Penal.
Fatmir Bektashi- Akuzohet për kryerjen e veprave penale "Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendore", parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Lini një Përgjigje