TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Shkurt 2025, 19:39

“Mosbindjen civile nuk e bëjnë partitë”, Murrizi: Udhëheqësit e PD të kandidojnë në listat e hapura, në primare të gjithë emrat

Shkruar nga Pamfleti

“Mosbindjen civile nuk e bëjnë partitë”, Murrizi:

Ish-deputeti demokrat Myslim Murrizi, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, duke folur për protestën e 8 shkurtit tha se nuk ka mosbindje civile që thirret nga një parti politike, pasi ato realizohen nga shoqëria.

Në një intervistë në studion e Top News, Murrizi tha se ka qenë kundër përdorimit të termit ‘mosbindje civile’, ndërsa u shpreh se nuk ka asgjë të keqe që të thuhet se Partia Demokratike do të bëjë, apo organizojë protestë.

“Mosbindja civile nuk realizohet nga partia politike. Civilë janë ata studentët në Serbi, janë ata rumunët që hedhin deputetët në kazanët e plehrave, pra është vetë shoqëria, nuk janë partitë.

Ne jemi shoqëri e hapur, e hargalisur. Nuk e kuptoj se dilnin dhe thonin ‘kemi mosbindje civile’ kur nuk ishte e tillë.

I vinte turp të thonin është protestë e PD.

Sipas bilbilenjëve që shëtisin nga një vend në tjetrin, Edi Rama ka ikur që në shkurt të 2019-ës. Nuk ka asnjë gjë në dorë opozita përveçse të ftojë mbështetësit e saj, dhe e dyta denoncimet me fakte dhe prova, nga Kuvendi te studio televizive, për ato të vërtetat, për ato shishet e verës prej 33 mijë euro që pihet me koordinatorin e krimit.

Nuk ka asnjë rëndësi se kush e bën denoncimin. Le të dalë Edi Rama dhe të kundërshtojë akuzat e Arben Ahmetajt, i cili ka thënë që baxhanaku i Kryeministrit ka përfituar 5 mln euro, apo që AKSHI është kthyer në bahçe të familjes së Kryeministrit.

Qytetarët duhet të reagojnë vetë, mos presin që PD të thërrasë protestat”, tha Murrizi.

Sipas tij, primaret në PD janë të sanksionuara në statut dhe përveç Sali Berishës të gjithë duhet ti nënshtrohen procesit të votimit nga anëtarësia.

“Statuti e ka të përcaktuar qartë, madje në primare duhet të përfshihet edhe Diaspora. Nuk ka pse të mos kenë ata të drejtën e votës, nuk ka pse ata të mos zgjedhin, përderisa diaspora do të votojë në 11 maj. Gjithashtu ai theksoi se udhëheqësit e PD duhet të jenë në listën e hapur dhe jo në atë të mbyllur, pra të kenë mandatet e sigurta. Në listën e sigurtë duhet të jenë vetëm emrat e rinj, ndërsa ata që janë udhëheqësit duhet të jenë në listën e hapur.

Sepse nëse këta udhëheqësit zgjedhin të jenë në listën e mbyllur, pra të sigurtën, atëherë çfarë mesazhi po i jep demokratëve, që nuk jemi të sigurtë për fitoren dhe duam të kemi në xhep mandatin?”, tha Murrizi.

 

 

Lini një Përgjigje