
Socialistët i turren Facebook-ut, kush e kush të shpërndajë më shumë aktivitetet e Ramës...
Edi Rama ja ka arritur të ketë përballë tij një shpurë njerëzish që i thonë vetëm “po shef”. Prej vitesh ka luftuar kundër zërit kritik në PS dhe duket se ja ka dalë që ata që e rrethojnë t’i ketë ushtarë të përulur që i bëjnë vetëm qejfin.
Arben Malaj pak ditë më parë foli hapur dhe qartë te “Pamfleti” se si PS e dikurshme nuk ka asnjë lidhje me Rilindjen sot. Dhe ai ka të drejtë. Në PS sot janë vetëm disa njerëz që Ramën e kanë idhull. Skena me të rinjtë e Forumit Rinor ishte qershia mbi tortë duke treguar indoktrinominin e tyre.
Rama javët e fundit ka pasur mbledhje të shpeshta me grupin, Kryesinë, degët etj. Një kritikë që ka bërë shpesh kreu i socialistëve ka qenë se ministra e deputetë nuk janë fare aktivë në rrjetet sociale. Madje ka kritikuar dhe ata që dikur ishin ministra dhe sot nuk kanë ofiqe që nuk reagojnë më.
Pas mesazheve të tij, duket se të gjithë i janë futur punës. Mjafton të hapësh profilet në Facebook të secilit deputetë dhe ministrat dhe rezulton se ditët e fundit të gjithë kanë shpërndarë masivisht aktivitetet e kryeministrit.
Kongresi i të rinjve pardje ishte një dëshmi se ku është katandisur PS. Të gjithë presin nga rinia të ngrejë krye ndaj kësaj politike që po i merr frymën vendit, por duket se në PS vegjetojnë ata që Ramën e krahasojnë me “Zotin”.
Elementi tjetër është se qeveria është vënë e gjitha në funksion të Partisë Socialiste. Të gjithë ministrat janë angazhuar në fushatë dhe përdorin profilet e tyre për të kërkuar vota. Thuajse të gjitha ministrat kanë zbritur në terren dhe kërkojnë vota, ndërkohë që disa emra i Pirro Vengu, Ervin Hoxha, etj., nuk janë fare deputetë.
Por e gjitha kjo ndodh për një arsye: Të gjithë duan të sigurojnë një vend te lista e deputetit. Ata e dinë se Babloku e ka qejf kur i ‘krehin bishtin’ dhe tani janë të gjithë në sulm. Rama e ka thënë se jo të gjithë do jenë te lista e sigurt dhe secili do të lërë më shumë përshtypje. /Pamfleti











Lini një Përgjigje