Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur që vulën e Partisë Demokratike ta marrë Sali Berisha.
Gjykata nuk ka pranuar ankimin e Lulzim Bashës, duke lënë në fuqi vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë se vula i takon Sali Berishës.
Për më shumë se 2 orë seancë gjyqësore u dëgjuan përfaqësuesit ligjorë të Partisë Demokratike zyrtare të Lulzim Bashës dhe të grupit demokrat të Rithemelimit të Sali Berishës.
Pas dhënies së vendimit, deputeti Flamur Noka tha se sot është një ditë e mirë për të gjithë demokratët.
"Zëri i tyre megjithëse në oazin e padrejtësisë u gjetën gjyqtarë më integritet që i dhanë zë të vërtetës që po zvarritej prej 3 vitesh. E vërteta që janë demokratët ata që vendosin për PD.
Demokratët sot janë të bashkuar, sot vendimi i gëzon ata, por sot është një ditë e e keqe për regjimin.
Një opozitë e përcarë ka marrë fund, sot Shqipëria ka një PD të vërtetë dhe një opozitë të bashkuar dhe të vërtetë."-u shpreh Noka.
Trupi gjykues u përbë nga relatore Alma Ahmeti e anëtarë Iliba Bezati dhe Elona Toro.
Nga PD zyrtare në gjykatë u paraqiten Indrit Sefa, Rezart Kthupi dhe Endri Hasa, ndërsa nga Rithemelimi krahas përfaqësuesve ligjorë janë dhe deputetët kryesorë mbështetës si Flamur Noka, Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj.
Të dyja palët kanë pohuar dje se nuk do të kenë kërkesa shtesë, çka do të çonte në shtyrjen e seancës e rrjedhimisht edhe vendimit për vulën e PD.
Prej dy vite e gjysmë vijon beteja për vulën e Partisë Demokratike mes demokratëve të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës me shpresën për një vendim final që do të zgjidhë njëherë e mirë fatin ligjor të partisë më të madhe opozitare.
Beteja mes dy grupeve të demokratëve përgjatë këtyre dy viteve e gjysmë përçarje nuk ka qenë vetëm ligjore. 8 janari i 2022 kulmoi në përplasje fizike mes Rithemelimit e PD zyrtare, ku vetëm ndërhyrja e policisë shmangu pasojat fatale.
Në seancën e 27 dhjetorit të vitit të shkuar Gjykata e Lartë i kërkoi Apelit të vendosë përfundimisht për këtë çështje. Në argumentet e saj, Gjykata e Lartë u shpreh se Apeli nuk kishte kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk kishte kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe kishte interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.
Lini një Përgjigje