Kjo situatë, duket ka ndezur edhe inatin e Erdoganit, i cili ka dhënë urdhër që xhamia e madhe të mos i dorëzohet në asnjë mënyrë një kupole gyleniste...
Një sherr i fortë është rindezur ndërmjet klerikëve të Komunitetit Musliman, me rastin e zgjedhjeve të reja, ku përveç këshillit të përgjithshëm do zgjidhen edhe këshillat përkatëse në qytetet e fshatrat e vendit.
Zelli i këtij sherri më shumë se një përplasje apo fushatë lobesh, është një luftë direkte ndërmjet korenteve tashmë antagoniste mes muslimanëve shqiptarë, të cilët janë edhe në numrin më të madh. Lufta mes ‘gylenistëve’ dhe ‘erdoganistëve’.
Peng i kësaj lufte vijon të mbetet xhamia e madhe katedrale ngjitur me Parlamentin, e cila edhe pse ka kohë që i ka përfunduar punimet nuk po i hap dyert për besimtarët.
Aktualisht, gylenistët janë korrenti që ka në dorë Këshillin e Përgjithshëm dhe Kryesinë e Komitetit Musliman, ndërkohë që njerëzit që janë përkrahur nga qeveria turke u larguan 4 vjet më parë.
Dy përfaqësuesit më të mëdhenj të korrentit “erdoganist” janë ish- kryemyftiu Ylli Gurra dhe ish-kreu i Shoqatës së Hoxhallarëve të Shqipërisë, Justinian Topulli. Të cilët janë edhe në krye të fushatës për zgjedhjet e reja, për të ndaluar mbajtjen edhe për 4 vjet të drejtimit nga gylenistët.
Justinian Topulli akuzon drejtuesit në fuqi se po blejnë vota brenda KMSH-së, e së bashku me të tjerë ai, ka protestuar në mënyrë demonstrative para zyrave të kupolës së muslimanëve.

Në një postim në facebook, Topulli shkruan se “vota nuk blejnë vetëm politikanët, por edhe gylenistët e KMSH-së. Kanë edhe taktikën e tyre të hileve, por ka një ditë gjykimi, ashtu siç ka edhe gjyq në këtë botë”.
Prej më shumë se 8 vitesh, KMSH-në e drejton grupimi që akuzohet si gylenistë, dhe sot kryetar është Bujar Spahiu, e para tij ishte Skënder Bruçaj, nga po i njëti grupim.

Në të shkuarën, KMSH-në e ka drejtuar një grup tjetër, që përfaqësohet nga selafistët, një rrymë që vjen nga vendet e Gjirit Persik si Arabia Saudite, Kuvajti apo Katari. Në fakt, ky grupim ka një fuqi të madhe e konsiderohet si i dyti në radhë për nga rëndësia.
Përfaqësuesit më të rëndësishëm në komunitet nga ky grupim janë myftiu i Shkodrës, Muhamet Sytari, si dhe imamët me shumë influencë në Tiranë: Elvis Naçi dhe Ahmet Kalaja. Ky grup kontrollon kryesisht financimin e pelegrinazhit të haxhit në Mekë.
Në lidhje me rolin e këtij grupimi, erdoganistët nuk kursehen, duke i cilësuar hipokritë.
“Vallahi Gylenistat po i dijmë bre Hoxhë, por këta që sillen si jo Gyleniste e punojnë për Gylenistët, ku ti fusim. Se gylenistët s’kanë asnjë Xhami, por për ta voton Hoxha me gjithë Xhemat”, shkruan një komentues në faqen e Justinian Topullit, i cili i përgjigjet: “këta janë njerëzit oportunistë të vegjël dhe pa shtyllë kurrizore”.
Gjithmonë brenda xhematit musliman shqiptar ka pasur shumë rryma, sekte e fraksione, por edhe agjentura të huaja. Një nga batutat që qarkullon si anektodë në mesin e besimtarëve është “muslimanizmi është shumë i mirë, por jo muslimanët shqiptarë”, duke ju referuar ndarjes dhe intrigave që zhvillohen vazhdimisht brenda tyre.
Kjo situatë, duket ka ndezur edhe inatin e Erdoganit, i cili ka dhënë urdhër që xhamia e madhe të mos i dorëzohet në asnjë mënyrë një kupole gyleniste. Pas haxhit, pritet që njerëzit e Erdogan të thërrasin në Stamboll selafistët, e tu kërkojnë troç se çfarë qëndrimi e ane do të mbajnë. Kjo duket se do të kryhet menjëherë sapo të largohet ambasadorja Yuri Kim, e cila ka luftuar fort që sulltani i Ankarasë të mos marrë kontrollin e KMSH-së. / Pamfleti
Lini një Përgjigje