TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Nëntor 2023, 19:35

Kaosi dhe tensionet në Kuvend skandalizojnë BE, anulohet mbledhja e Këshillit të Integrimit

Shkruar nga Pamfleti

Kaosi dhe tensionet në Kuvend skandalizojnë BE, anulohet mbledhja e

Aktet skandaloze në Kuvend duket se e kanë bërë politikën shqiptare gazi i botës. Opozita prej afro 3 javësh nuk po lejon punime të Kuvendit dhe komisioneve, ku nuk kanë munguar aktet e dhunës, tymueset dhe përplasjet.

Kjo ka bërë që Kuvendi të kthehet në një “arenë lufte” dhe kjo ka bërë që aty të mos shkelin më ndërkombëtarët.

Të hënën ishte planifikuar të mblidhej Këshilli i Integrimit Europian, i drejtuar nga Jorida Tabaku, ku do të bëhej prezantimi i progres-raportit të KE. Mbledhja do të mbahej në orën 12.00, por mësohet se ajo është anuluar. Anëtarët kanë marrë sot një email ku ju bëhet e ditur se mbledhja e së hënës nuk do të mbahet dhe shkak duket se është aksioni opozitar.

Në këtë komision do të ishte ambasadori i BE Lugi Soreca dhe përfaqësues të tjerë të ambasadës dhe selive të tjera diplomatike. Nuk dihet nëse e kanë kërkuar ndërkombëtarët anulimin e komisionit, por mësohet se diplomatët u druhen akteve skandaloze dhe në atë seancë.

Për arsye sigurie mësohet se është rënë dakord që komisioni të mos mbahet. Ndërkohë që nuk ka një datë për zhvillimin e tij, duke treguar gjendjen e rëndë në të cilën ka hyrë institucioni më i rëndësishëm në vend.  

Dy ditë para se SPAK të arrestonte dhëndrin e Berishës dhe të merrte të pandehur këtë të fundit, ish-kryeministri nis një aksion politik. Ai premtoi se do të bllokonte Kuvendin dhe si alibi u vendosën komisionet hetimore. Seancat penale janë bllokuar ku ka pasur dhunë, grumbullim karrigesh te foltorja dhe tymuese. Komisionet janë zhvendosur online, teksa ka pasur dhe përplasje me Gardën. Të gjitha këto duket se kanë skandalizuar ndërkombëtarët dhe është marrë ky vendim.

Lini një Përgjigje