TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Shkurt 2025, 13:11

Hetimet për krimet zgjedhore, BE mbështet Dumanin: Ne jemi në krah të SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Hetimet për krimet zgjedhore, BE mbështet Dumanin: Ne jemi në
Silvio Gonzato

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, tha se task-forca e ngritur nga SPAK për monitorimin e zgjedhjeve të 11 majit, është një nismë e mirëpritur prej tij, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Blerja e votës dhe presioni ndaj votuesve vijon të jetë problem në Shqipëri. Mirëpres nismën e ndërmarrë nga aktorët kryesorë, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Policia e Shtetit, për të koordinuar përpjekjet e tyre para zgjedhjeve të 11 majit, për të adresuar krimet e mundshme zgjedhore, si garanci për besim në këto zgjedhje. Dhe mezi po pres që të dëgjoj më shumë nga këto institucione lidhur me nismën e tyre dhe koordinimin”, tha Gonzato në një takim të organizuar nga organizata të shoqërisë civile.

Ndërkohë kreu i SPAK, Altin Dumani ka zbuluar ditën e sotme strategjinë e SPAK për goditjen e krimit zgjedhor.

Në një tryezë të përbashkët për krimet zgjedhore me kreun e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, kryeprokurorin Olsian Çela dhe eksponentë të tjerë politikë dhe jo vetëm.

Dumani tha se krimi zgjedhor duhet goditur në kohë, sepse sipas tij kështu ka efekt më të madh publik. Për të arritur këtë, ai tha se SPAK ka planifikuar ngritjen e grupeve hetimore në terren.

Kreu i SPAK i bëri thirrje prokurorëve që të mos kenë frikë, për sa kohë janë në përmbushje të detyrimeve të tyre ligjore.

“Ju thatë se askush nuk duhet të ketë frikë sa kohë që është në përmbushje të detyrimeve ligjore kushtetuese. Ne jemi institucioni i ndjekjes penale dhe është detyrimi ynë kushtetues dhe ligjor që sa herë para nesh paraqitet një rast për t’u trajtuar si një fakt penal, ne jemi të detyruar të kryejmë të gjitha hetimet përkatëse për ngritjen e një akuze.

Kemi bashkëpunim shumë të mirë me zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Kemi rënë dakord për të përcaktuar mënyrën konkrete sesi do të trajtohen rastet që do paraqiten para zyrës sonë apo zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, për të evituar edhe konfliktin e kompetencave, për të zgjidhur në kohë reale këto probleme dhe që hetimi të vijojë.

SPAK ka hartuar një strategji, qëllimi i së cilës është të parandalojë dhe hetojë në mënyrë të plotë dhe me transparencë veprat penale gjatë zgjedhjeve për Kuvendin 2025, për vepra që janë në kompetencë të kësaj strukture. SPAK ka parashikuar edhe grupe hetimore në terren, që do të veprojnë duke u koordinuar dhe bashkëpunuar me KQZ, me Policinë e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese. Kur krimi zgjedhor goditet në kohë, efekti publik është i madh dhe kundërta. Zgjatja e hetimeve post faktum, edhe nëse prodhon drejtësi, krijon mosbesim”, tha Dumani. 

silvio gonzato

Lini një Përgjigje