TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Mars 2024, 09:27

Forcimi i të djathtës ekstreme mund të sabotojë zgjerimin e ri të Bashkimit Evropian

Shkruar nga Nina Dos Santos
Forcimi i të djathtës ekstreme mund të sabotojë zgjerimin e
E djathta Ekstreme Evropiane /

 “Graviteti politik i Evropës po zhvendoset drejt së djathtës”

Udhëheqësit e partive konservatore të Evropës, u shfaqën në dukje triumfues në samitin e tyre në Bukuresht të Rumanisë në fillim të këtij muaji. Që nga mbledhja e tyre e fundit 2 vjet më parë, qendra e djathtë ka fituar shumë terren, duke u përfshirë në qeveritë e disa vendeve të Bashkimit Evropian, teksa ka një zë më të fortë brenda institucioneve kyçe të bllokut. 

Konservatorët e BE-së - që për zgjedhjet e qershorit po bëjnë fushatë së bashku si Partia Popullore Evropiane - parashikohen të fitojnë më shumë vende në zgjedhjet e afërta për Parlamentin Evropian, që aktualisht drejtohet nga liderja e qendrës së djathtë, maltezja Roberta Metsola.

Ndërkohë, kandidatja e tyre për të drejtuar Komisionin Evropian, Ursula von der Leyen, ka të ngjarë të sigurojë një mandat të dytë, duke udhëhequr në një epokë në të cilën narrativa e qendrës së djathtë po dominon natyrshëm, sepse siguria dhe ekonomia janë në qendër të vëmendjes së elektoratit.

Megjithatë, pas kësaj ecurie të mirë fshihet një enigmë themelore: si të trajtohet një kundërshtar nga ana spektrit tënd politik, në mesin e një rritjeje të mbështetjes për të djathtën ekstreme të Evropës. Këtë muaj, ngritja e një partie populiste ndihmoi në parandalimin e fitores së qendrës së djathtë në Portugali, pavarësisht se ajo i rrëzoi nga pushteti socialistët.

Ky rezultat mund të nënkuptojë krijimin e një qeverie të dobët, e cila mund të detyrohet të bëjë lëshime ad hoc për të miratuar ligje të reja. Në Suedi, ku e djathta ekstreme ka qenë pjesë e koalicionit qeverisës që nga viti 2022, kjo prirje është duke u zhvilluar tashmë, siç dëshmohet nga një goditjet e fundit të autoriteteve ndaj krimit, si dhe nga një qëndrim më i ashpër ndaj migracionit.

Në Sllovaki dhe Hungari, në krye janë udhëheqësit populistë, dhe përgjatë viteve ata e kanë përdorur rregullisht pushtetin e tyre për të sfiduar unitetin e BE-së në çështjet më urgjente të ditës. “Gravieti politik i Evropës po zhvendoset drejt së djathtës”- thotë Jerry Zagoritis, themelues i kompanisë konsulte mbi strategjitë politike me seli në Bruksel, Campaign Lab, e cila ka këshilluar partitë e qendrës së djathtë në të gjithë BE-në.

“Tashmë ju mund ta shihni këtë gjë në fushata, ku mjedisi aktual po i detyron edhe të moderuarit të ashpërsojnë tonin e tyre mbi migrimin, mbrojtjen, si dhe të fokusohen në çështje si siguria dhe siguria ekonomike dhe sociale”- thotë ai. Me pak fjalë, e djathta ekstreme po bën të dëgjohet i saj, dhe shumë shpejt do të rritë më tej përfaqësimin, sidomos brenda parlamentit të BE-së.

Bazuar tek sondazhet e deritanishme, partitë ekstremiste të Evropës mund të marrin në qershor më shumë se 25 për qind të votave, kur 400 milionë qytetarë të bllokut kanë të drejtë të votojnë. Këta deputetë mund të pengojnë përpjekjet për të trajtuar ndryshimet klimatike, si dhe të pengojnë zgjerimin e BE-së drejt lindjes, duke përfshirë një ditë Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor. Por nuk ka asnjë tregues, thotë Zagoritis, që fraksionet e ekstremit të djathtë janë ende mjaftueshëm të bashkuara për të sfiduar vazhdimisht status quo-në.

“Këto palë mund të jenë shumë kundër njëra-tjetrës për çështjet vendimtare, si për shembull në qasjen ndaj Rusisë. Disa janë pro-ukrainase, ndërsa të tjerat e mbështesin hapur Kremlinin” thotë ai. Forcimi i ekstremit të djathtë të Evropës nuk është aspak një surprizë.

Ai po rritej prej kohësh. Një zyrtar i qendrës së djathtë në Bukuresht, fajësoi presidentin e Francës Emmanuel Macron për këtë dukuri, që kur themeloi lëvizjen e tij politike “En marche” në vitin 2016.

“Ai e dëmtoi qendrën, dhe na e la neve që të merremi me rrëmujën”- thekson ai. Të tjerë parashikojnë se populizmi do të ketë gjithmonë joshjen e tij, duke premtuar zgjidhje të thjeshta për problemet që partitë tradicionale kanë rezultuar të jenë të paafta për t’i trajtuar. Është më se e qartë se kriza e kostos së jetesës dhe pandemia e Covid-19, e kanë përshpejtuar ndryshimin, duke i nxitur votuesit e shtresës të bien më poshtë në shkallaren socio-ekonomike duke u bërë më të joshur nga elementët politikë ekstremistë.

Edhe fermerët evropianë, mjetet e jetesës së të cilëve janë mbrojtur dikur nga Politika e Përbashkët Bujqësore e BE-së, po afrohen tani me radikalët. Por ashtu si qendra e djathtë e Evropës, mund të joshet të kopjojë disa politika të ekstremit të djathtë për të neutralizuar kërcënimin, ka prova që edhe partitë e ekstremit të djathtë po e pranojnë se disa nga nismat e tyre më agresive janë duke i larguar prej tyre.

Për këtë arsye, ata po zhvendosen më shumë drejt qendrës. Kështu Marine Le Pen e Tubimit Kombëtar në Francës ka hequr dorë nga planet e saj për të ashtuquajturin Frexit (referendumin për largimin e Francës nga BE), dhe kohët e fundit e dënoi pushtimin rus të Ukrainës, pavarësisht se dikur ishte një admiruese e thekur e Vladimir Putinit.

Ndërkohë, udhëheqja e AFD-së gjermane u distancua shumë shpejt nga raportimet për një takim të fshehtë, në të cilin disa nga drejtuesit kryesore diskutuan për dëbimin e bashkatdhetarëve të “paasimiluar”.  Edhe Geert Wilders, që fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare në Holandë, por nuk ishte në gjendje të formonte një qeveri, duket se e pranon se e djathta ekstreme mund të jetë më shumë ndikuese kur ushtron presion nga jashtë establishmentit dhe jo në drejtimin e një vendi.

Por ajo që ka rëndësi, është ngritja e fortë e të djathtës ekstreme në Evropë, sepse kjo gjë po e ndryshon me shpejtësi peizazhin në një nga unionet më të mëdha demokratike në botë, dhe në një kohë kur autokracia është në rritje diku tjetër. Kjo prirje mund të ndryshojë balancat për vitet në vijim. Se sa larg do të shkojnë gjërat, kjo mbetet për t’u parë./Përshtati Pamfleti nga “The Independent”

e djathta ekstreme evropa zgjerimi

Lini një Përgjigje