
Krerët e partive të vogla opozitare të mbledhura bashkë, kanë propozuar krijimin e një federate të përbashkët të opozitës. Kreu PDK Nard Ndoka tha se pjesë e idesë së propozuar nga kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, mund të bëhet edhe kryetari i PD Lulzim Basha ndonëse Sali Berisha ka përjashtuar çdo mundësi “bashkimi” me të.
Sipas Ndokës qëllimi i kësaj federate është që opozita të shihet si institucion, pasi ka shumë më tepër në PD se Berisha. Ndërsa Berisha ka deklaruar se mund të bashkëpunojë me të gjithë përveç Bashën, për Nokën do ishte krejt normale që kreu i PD t’i bashkohet federatës së opozitës që do krijohet.
“Ishte momenti më i volitshëm për politikën shqiptare për këtë draft të bërë publik. E djathta e ka ruajtur pjesën plurale, pjesën e përfaqësimit. E djathta është më liberale sa i takon bashkëpunimit gjithmonë ka divergjenca përplasje mospajtime.
PD është partia më e madhe e opozitës që drejtohet defakto nga Berisha por ka edhe mjaft parti të tjera. Është shumë e rëndësishme që ne opozitën ta shohim si institucion. Ka shumë më tepër përtej zotit Berisha.
Hapi i dytë është që dhe vetë për Bashën e përmendëm si emër, nuk e kemi të qartë është si peng te Edi Rama apo do bashkohet me frontin opozitar, apo ka dhe parti të tjera që janë në parlament”, tha Ndoka në Report Tv.
Ai ka dhënë detaje sesi do të funksionojë federata.
“Do jetë diçka kolegjiale janë drejtues të forcave politike parlamentare dhe jo parlamentare që e ndiejnë veten që janë në opozitë. Do ketë vendimmarrje të përbashkët të të gjithë forumit.
Do ishte krejt normale të marrë pjesë. Është tjetër historia e përplasjes së Berishës me Bashën, janë përplasje më shumë morale. Është e rëndësishme që Basha ta shohë veten pjesë të opozitës.
Basha është i lirë të bashkohet, nuk ka vota për ta pranuar ose jo. Nuk ka përjashtime. Ai është qëndrim personal i Berishës për Bashën. Ai e ka thënë për partinë e tij. pse ndodh kjo. Sepse Basha ende sillet si skuth. Derisa shumicën e partisë e ka zoti Berisha”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje