TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Mars 2024, 14:19

Drejtorët e bashkisë Tiranë pas hekurave, PD: Gjysma e qeverisë Rama në burg, SPAK të thellojë hetimet

Shkruar nga Pamfleti

Drejtorët e bashkisë Tiranë pas hekurave, PD: Gjysma e

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina, tha se modeli i vjedhjes dhe korrupsionit qeveritar, është shpërndarë në qeverisjen vendore.

Gjatë një deklarate për shtyp ajo theksoi mbështetjen e PD-së për SPAK-un, duke inkurajuar hetimet e thelluara dhe kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryebashkiakut Veliaj.

Karabina u shpreh se sot, gjysma e qeverisë Rama është në dyert e SPAK dhe pas hekurave.

"Sot gjysma e qeverisë së Edi Ramës është në dyert e drejtësisë e prapa hekurave. Dhe ky model i vjedhjes dhe korrupsionit sistemik qeveritar është shpërndarë dhe në nivelin e qeverisjes vendore.

Me urdhër-arreste të SPAK të disa ditëve më parë, drejtorë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë Tiranë janë para drejtësisë dhe prapa hekurave.

Korrupsion i lartë në Bashkinë Tiranë, duke filluar nga koncesionet, tenderët e deri tek pasuritë publike e pronat e qytetarëve kanë një kryetar që i drejton, ai është Erion Veliaj.

Qytetarët e Tiranës e shikojnë me sy dhe e ndjejnë çdo ditë korrupsionin e Bashkisë Tiranë : miliona metra katror ndërtim të miratuar nga Bashkia Tiranë, janë dhënë kryesisht në sipërfaqe të gjelbërta të qytetit, në hapësira publike, në sheshe lojërash për fëmijë, në parqe dhe fusha sportive. Mijëra kate betoni të ngritura në një qytet të renditur të fundit në Europë për nga cilësia e ajrit, duke shkaktuar në mënyre direkte sëmundje kronike në popullatën e kryeqytetit.

Tirana sot që Erion Veliaj përmes mashtrimit e paraqet si kryeqytetin europian të kulturës dhe sportit, në fakt është një kryeqytet në vdekje klinike në sport dhe në kulturë: Stadiumi Olimpik Historik Kombëtar “Qemal Stafa” i shembur, Teatri Kombëtar i shembur, Muzeu i Shkenave të Natyrës i shembur, Galeria e Arteve e mbyllur, Muzeu Kombëtar i mbyllur, Biblioteka Kombëtare e mbyllur, Teatri i kukullave i mbyllur, Cirku i mbyllur, Fusha sportive të zhdukura, Kinema të zhdukura dhe objekte të tjera në shënjestër për shembje.

Dhe e gjithë kjo panoramë mbylljesh e shembjes ndodh nga babëzia e madhe për të vjedhur dhe plaçkitur pasuritë publike dhe pronat e qytetarëve nga drejtorë dhe zyrtarë të Bashkisë me drejtues Erion Veliajn.

Partia Demokratike në mbështetje pa asnjë rezervë të SPAK, inkurajon hetimet e thelluara pa kursyer askënd në Bashkinë Tiranë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të vënë para drejtësisë vjedhësit e pasurive publike dhe pronave të qytetarëve.

Partia Demokratike kërkon publikisht dorëheqjen e Erion Veliajt me qëllim që t’i hapë rrugë hetimeve të thelluara të SPAK ndaj këtij Institucioni”, tha Karabina.

Lini një Përgjigje