Nga salla ku po mbahet mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së, kreu demokrat, Sali Berisha, ka paralajmëruar Kryeministrin Edi Rama, që të mos guxojë të prekë drejtësinë.
Berisha tha se opozita nuk do të lejonte që Edi Rama të cënonte edhe atë pavarësi të vogël që ka drejtësia.
“Po i them Ramës që do të përballet me pasoja të rënda nëse do të guxojë të prekë edhe atë pavarësinë e vogël që ka sistemi i drejtësisë”, tha Berisha.
Ai tha se Edi Rama është i aftë të bëjë çdo gjë për të qëndruar në pushtet, ndërsa shtoi se tani është radha e opozitës.
"Është ora jonë. Ora e demokratëve gjer në largimin e tij. Nuk ka asnjë alternativë tjetër. Shikoni si doli. Njeriu që e nisi qeverinë duke dalë nga ekrani në ekran me hekura në duar, u tregonte qytetarëve hekurat se nuk kishin paguar një faturë dritash apo uji.
Njeriu që çirrej nga ekrani në ekran të arrestohet Sali Berisha, Ilir Meta, etj, tani i kapur në flagrancë, përdor të gjithë pushtetin e tij të krimit për t’u mbrojtur.
Edi Rama është i aftë për grusht shteti.
Ai ka të gjitha pushtetet, por është i aftë që edhe këtë përpjekje që po bën drejtësia, t’ia asgjësoje.
Në qoftë se e dëgjuat, çfarë tha: nuk do e kalojmë këtë si rastet e tjera, por do bëjmë një analizë të thelluar, e them këtë si udhëheqësi i reformës në drejtësi.
Edhe ne do i themi, guxo.
Në mënyrë absolute do bëjmë gjithçka që vend mbi tokë të mos të të lëmë që ti të marrësh atë pushtet minimal të drejtësisë.
Nuk mundet që ne të pranojmë një bandit, një hajdut, një njeri, i cili iu ka bërë shqiptarëve më të zeza se asnjë pushtues tjetër", tha Berisha.
Ky qëndrim i Berishës në raport me drejtësinë vjen në një kohë kur SPAK i ka kërkuar Kuvendit autorizimin lidhur me zv.Kryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur përsa i takon çështjes së tunelit të ‘Llogarasë’, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vendimin e GJKKO-së, që vendoste pezullimin e saj nga detyrat qeveritare.
Por Berisha në anën tjetër është politikani që ka akuzuar më shumë drejtësinë e re, veçanërisht kreun në detyrë të SPAK, Altin Dumani, por edhe ish-drejtuesen e GJKKO-së, Irena Gjoka. Çuditërisht lidhur me drejtuesin e zgjedhur të SPAK, Klodian Braho, e konsideroi thjesht si një zgjedhje në përputhje me Kushtetutën.
Lini një Përgjigje