
Ish kryeministri Sali Berisha ka sulmuar Ilir Rusmajlin, anëtarin e Komisionit të Sanksioneve dhe Ankesave. Ky i fundit ka pasur rol kyç në disa vendime të marra kundër koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe Berisha e ka sulmuar, ndonëse dikur e kishte ministër, zv/kryeministër dhe deputet të tijin.
“Sali Berisha është Sali Berisha. Ai sillet në këtë mënyrë sepse është larguar për korrupsion nga detyra e zv kryeministrit. I kam thënë paraqit dorëheqjen por largimi i tij ka qenë vendim i prerë i Sali Berishës ndaj një njeriu që shkeli në mënyrë flagrante dhe korruptive ligjin. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve hap një tender dhe në tender shkon i vëllai i Ilir Rusmajlit. Dhe drejtori e regjistron. Kur e kërcënonte me të vëllanë zv kryeministër. Kjo është historia. Iliri shkarkoi drejtorin në kundërshtim me ligjin. Ndodhi që ditën që ndodhi skandali duhet të nisesha në drekë jashtë, Ilir Rusmajli në mënyrë jashtë kontrollit të vetes e mori dhe e shkarkoi në kohën kur ishte kompetencë e kryeministrit. U ktheva, ai mori një shkarkim”, tha Berisha në “Panorama TV”.
Sipas Berishës, të gjitha veprimet e Rusmajlit në drejtim të tij bëhen për shkak se Rama i ka premtuar se do ta vendosë në krye të Avokatit të Popullit.
“Kjo është vepër e Edi Ramës sepse i ka premtuar që do ta bënë avokat të popullit. Kanë rënë dakord që ai të marrë këto vendime dhe ta çojë në krye të avokatit të popullit”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje