
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ditën e sotme ka pritur në një takim Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili i shprehu shqetësimin për influencën në rritje të Rusisë në Ballkan.
Begaj gjithashti i bëri apel shefit të NATO që Kosova të anëtarësot në Aleancën Atlantike.
"Pavarësisht progresit të bërë në drejtim të integrimit Euro-Atlantik, rajoni vijon të karakterizohet nga zhvillime komplekse gjeopolitike dhe të sigurisë.
Rusia përbën kërcënim domethënës dhe direkt ndaj NATO-s dhe Ballkanit Perëndimor. Ajo ka rritur përpjekjet e saj influencuese duke përdorur metoda të luftës hibride, subversionit politik, financimeve të paligjshme etj.
Qëllimi i saj është prishja e paqes, stabilitetit dhe bllokimin e reformave Euro-Atlantike të vendeve të rajonit.
Kemi ndjekur me shqetësim ngjarjet në veriun e Republikës së Kosovës në fund të vitit të kaluar.
Shqipëria përshëndet dhe mbështet dialogun Serbi-Kosovë. Që nga viti 2008, Republika e Kosovës është një vend sovran dhe i pavarur me vizion të qartë për t’u integruar në familjen euro-atlantike.
Plani europian për normalizimin e marrëdhënieve është një hap pozitiv që do duhet të qendërzohet në njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve.
Vlerësoj maksimalisht angazhimin dhe përkushtimin e NATO-s në rajon dhe misionin KFOR, si një histori suksesi.
KFOR, është garantues i paqes dhe i sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Ne jemi duke kaluar kohë të sfidave të mëdha, të cilat kërkojnë vendime të guximshme dhe të drejta.
Në këtë kontekst është në bindjen time se është më se e justifikueshme për ta konsideruar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Aleancën Euro-Atlantike.", tha Begaj.
Në këtë vizitë zyrtare, presidenti Begaj do të shoqërohet nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Arben Kingji dhe anëtarë të kabinetit të tij. Kjo është vizita e parë zyrtare në NATO e presidentit Begaj në cilësinë e Presidentit të Republikës.
Lini një Përgjigje