Lulzim Basha ka lënë në baltë mazhorancën sa i takon ligjit për rritjen e pagave për anëtarët e Kushtetueses. Ligji është shtyrë sërish ditën e sotme, duke mos gjetur rrugën e miratimit.
PS tentoi ta kalonte të enjten e kaluar, por nuk siguroi dot 84 vota dhe drafti u shty për sot, por sërish kuorumi nuk u sigurua. Basha deklaroi për mediat javën e kaluar se do votojë rritjen e pagave, por duket se ka ndërruar mendje. Ai dhe deputetët e tij kanë ikur nga seanca dhe PS nuk e kalon dot draftin me votat e sja.
Ishin Jorida Tabaku dhe Gazmet Bardhi që kritikuan ligjin dhe kërkuan që ai të mos miratohet sot. Ata kërkuan rishikim të tij, pasi sipas tyre, nuk mund të kenë paga më të larta se anëtarët e SPAK.
“Nuk jemi kundër asnjë ligji që rrit eficencën, përkundrazi jemi në grup pune ku po punojmë prej disa muajsh në një paketë ndryshimesh në ligjet e reformës në drejtësi, në bashkëpunim me partnerët. Ne kemi rënë dakord që nuk do të pranojmë asnjë ndryshim që kërkohet për privilegje apo përfitime shtesë të gjyqtarëve apo prokurorëve, por do të fokusohemi te eficenca”, tha Bardhi.
Nga ana e tij, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Toni Gogu u shpreh se PS është dakord për ta shtyrë këtë projektligj për një seancë tjetër.
“Gjykata Kushtetuese ka ndjekur procedurën ndaj ne sot e sjellim këtë propozim, por jemi plotësisht dakord ta shtyjmë në një seancë tjetër. Gjykata Kushtetuese e ka bërë këtë gjë kur ne miratuam ligjin për pagat. Gjyqtarët kushtetues gjithmonë kanë qenë më të mirëpaguarit për shkak të punës, sepse garantojnë sundimin e ligjit në këtë vend. Gjykata Kushtetuese nuk është gjykatë e sistemit gjyqësor, këtë e dinë jashtëzakonisht mirë deputetët e opozitës sepse siguron që të drejtat e njeriut dhe procesi i rregullt ligjor të respektohen siç thotë Kushtetuta”, tha ai.
Projektligji i hartuar Ministria e Drejtësisë, me propozimin e vetë Gjykatës Kushtetuese, parashikon që paga e një gjyqtari kushtetues të jetë rreth 644 mijë lekë, ndërsa e kryetarit të kësaj gjykate në vlerën rreth 773 mijë lekë.
Lini një Përgjigje