
Berisha i ka lënë terren të lirë vajzës së tij për zgjedhjet e 2025...
Ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë sinjale të qartë se PD mund të kalojë në duart e Argitës, vajzës së tij.
Edhe pse u shpreh në një intervistë se ai nuk do të tërhiqet nga politika çfarëdo që të bëjë drejtësia, Berisha ja la të hapur derën vajzës që të garojë në zgjedhjet e 2025.
“Argita do të marrë çdo vendim që të dojë, ajo është aktive në politikë çdo ditë, por mos harro se ajo është nënë e katër fëmijëve dhe duhet të bëjë edhe një paqe me ta, duhet të marrë edhe miratimin e tyre, duhet të vendosë dhe vetë, por nga unë s’ka asnjë pengesë. As ajo, as Shkëlzen Berisha nuk kanë asnjë pengesë”, tha ai.
Në intervistën e tij për emision “Pa censurë”, ai sulmoi drejtësinë për akuzat ndaj tij, teksa u shpreh se do të luftojë pavarësisht kostove.
“Unë besoj se kam dhënë prova që nuk bëj hap pas. Kam dëshmuar në mënyrën më të qartë se unë hapa pas për të shkelmuar të vërtetën nuk bëj kurrë. Kam deklaruar, kur u shpalla non-grata se një fakt të vetëm, po gjetën për korrupsionin, largohem përfundimisht nga politika. Se një fakt po gjetën që fëmijët e mi, të kenë përfituar një qindarkë nga fondet publike, unë largohem. Këto të dy kanë qenë zotimet e mia. Fëmijët e mi, në raport me detyrën time, nuk mund të shkelnin ligjin e përcaktuar. Nëse Rea ka fituar me dhjetëra tendera dhe nuk i ka deklaruar njerku i artë asnjë qindarkë, fëmijët e mi nuk kanë fituar kurrë asnjë tender, asnjë projekt me qeverinë dhe Sali Berisha ka deklaruar çdo të ardhur të tyre, siç është ligji i vendit”, tha ai.
Pjesë nga intervista
Elona Meço: Ju kam dëgjuar që keni ndryshuar qëndrim për çështjen e përfshirjes në politikë të vajzës suaj Argita Malltezi. Dikur e keni refuzuar kategorikisht përfshirjen e saj. Sot thoni jo.
Sali Berisha: Të them të vërtetën s’e kam refuzuar kurrë kategorikisht. Nuk mund ta refuzoja ashtu, sepse nuk jam patriarkal në atë mënyrë që t’u them se ju nuk mund të merreni me politikë. Të dy ata, që fëmijë, janë marrë me politikë.
Elona Meço: Po, por e kam fjalën për trashëgiminë politike, për vendin e kryetarit të partisë.
Sali Berisha: Jo. E them sërish. Ata mund të garojnë si gjithë të tjerët, kjo është parti e hapur. Mund të garojnë, siç garon çdo aktivist i partisë, por në supet e babait të tyre kjo nuk mund të ndodhë.
Elona Meço: Çfarë do të thotë kjo?
Sali Berisha: Nuk mund të ndodhë, për shembull, që vajza ime të caktohet të jetë anëtare diku, apo duhet të jetë këtu apo aty. Vajza ime, po të dojë të punojë në strukturat e PD, ta propozojnë dhe e ka rrugën e hapur.
Elona Meço: Kështu thatë dikur edhe për Lulzim Bashën, por nuk ndodhi kështu. E kam fjalën për procesin zgjedhor të 2013-ës, kur ju premtuat se nuk do të mbështesnit asnjë kandidat, por favorizuat Bashën.
Sali Berisha: Absolutisht jam përpjekur të jem sa më i drejtë. U krijuan rrethana, tensione, të cilat unë përpiqesha t’i shkrija për të zhvilluar procesin, por në ato rrethana mendova se partia mund të pësonte një përçarje të madhe, po të mos ruanim disa rregulla. Unë s’kam bërë gjë tjetër, vetëm se kam ruajtur ato rregulla për të cilat palët ranë dakord. Në këtë aspekt, ishte motoja e njërit se “më mbështesin strukturat” dhe motoja e atij tjetrit se “më mbështet anëtarësia”, nuk duhet të garonin në atë formë.
Elona Meço: E kuptoj, por në fakt, kështu ndodhi.
Sali Berisha: Ndodhi, por nuk duhej.
Elona Meço: Pyetja ime kishte lidhje me Argitën. Argita, në dijeninë tuaj, do të kandidojë pas 2025-ës?
Sali Berisha: Argita do të marrë çdo vendim që të dojë, ajo është aktive në politikë çdo ditë, por mos harro se ajo është nënë e katër fëmijëve dhe duhet të bëjë edhe një paqe me ta, duhet të marrë edhe miratimin e tyre, duhet të vendosë dhe vetë, por nga unë s’ka asnjë pengesë. As ajo, as Shkëlzen Berisha nuk kanë asnjë pengesë.
Elona Meço: Shkëlzeni ka deklaruar pak ditë më parë se nuk do të përfshihet në politikë.
Sali Berisha: Atëherë atë rrugë do të ndjekë. I kam respektuar vendimet e tyre, dyert i kanë të hapura.
Elona Meço: Kjo rrugë që keni ndjekur ka pasur një kosto shumë të madhe për familjen tuaj, për bashkëshorten tuaj, për vajzën, për djalin, që siç thuhet është nën hetim. Keni menduar të bëni një hap pas?
Sali Berisha: Kurrë! Unë besoj se kam dhënë prova që nuk bëj hap pas. Kam dëshmuar në mënyrën më të qartë se unë hapa pas për të shkelmuar të vërtetën nuk bëj kurrë. Kam deklaruar, kur u shpalla non-grata se një fakt të vetëm, po gjetën për korrupsionin, largohem përfundimisht nga politika. Se një fakt po gjetën që fëmijët e mi, të kenë përfituar një qindarkë nga fondet publike, unë largohem. Këto të dy kanë qenë zotimet e mia. Fëmijët e mi, në raport me detyrën time, nuk mund të shkelnin ligjin e përcaktuar. Nëse Rea ka fituar me dhjetëra tendera dhe nuk i ka deklaruar njerku i artë asnjë qindarkë, fëmijët e mi nuk kanë fituar kurrë asnjë tender, asnjë projekt me qeverinë dhe Sali Berisha ka deklaruar çdo të ardhur të tyre, siç është ligji i vendit.
Elona Meço: Pra asnjë hap pas, pavarësisht çfarë mund t’ju ndodhë?
Sali Berisha: Kjo nuk është dëshmi e një kokëfortësie, është dëshmi e një përulësie, përulësi para të vërtetës, sepse mund të ketë pasur variante të tjera më interesante në rrafshin personal për mua, por unë qëndroj për atë që besoj dhe unë besoj se e vërteta duhet mbrojtur në çdo rrethanë dhe në çdo kohë, sepse, pas Zotit, ajo është më e madhe se çdo gjë tjetër.
Lini një Përgjigje